
Serveri i Tatimeve, dy varteset ia lene përgjegjesine Canit
Vartëset e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, ia lënë përgjegjësinë titullarit për zgjedhjen e audituesve të serverit të Tatimeve.
Sipas dy zyrtarëve që kanë folur deri tani para komisionit hetimor, audituesit (mes të cilëve edhe një nga këshilltarët e tij), u caktuan me urdhër të Canit. Ndërkohë, Cani nuk është paraqitur dje për të dhënë shpjegime pranë komisionit hetimor të drejtuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani. Burime nga komisioni thanë se ministri Cani nuk kishte paraqitur as ndonjë arsye mbi mosardhjen për të dëshmuar. Cani, së bashku me sekretarin e përgjithshme të MF-së, si dhe drejtore e Harmonizimit për Kontrollin e Brendshëm, Kesjana Halili, ishin thirrur për të dhënë shpjegime të hollësishme lidhur me ndërhyrjen në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në nëntor të vitit 2013. Deputetët e PD-së në këtë komision e vënë theksin në shkeljet e ligjit gjatë përzgjedhjes së trupës audituese të serverit, ndërsa deputetët e majtë këmbëngulin te fakti se ka pasur ndërhyrje në server nga persona të paautorizuar, prandaj duhej hetuar me urgjencë.
Sekretarja e Financave
Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Financave, Gelardina Prodani, duke iu përgjigjur pyetjeve të komisionit, informoi se nuk kishte dijeni për procedurat e auditit, pasi ligji “Për auditin” e përjashton vendimmarrjen e saj. Ajo shtoi më tej se, sipas këtij ligji, edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave mund të jetë subjekt i auditimit. “Auditimi është mjet në duart e titullarit, domethënë i ministrit të Financave”. Ajo tha se ka pasur një kontratë për të audituar serverin e tatimeve dhe se janë zgjedhur ekspertë të jashtëm, të cilët kanë deklaruar se do të kryejnë procesin pa pagesë. “Nuk janë paguar para publike për këtë audit”, deklaroi Prodani, e cila përjashton kryerjen e ndonjë procedure përzgjedhjeje sipas rregullave për kontraktimin e shërbimeve.
Drejtorja e Auditit
Në seancën e kaluar dëgjimore, sipas procesverbalit të mbledhjes së datës 19 dhjetor 2015, ku ka dëshmuar Tatjana Elezi, drejtoreshë e Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, ka deklaruar se kjo procedurë ka nisur mbi bazën e urdhrit nr. 68 të nëntorit të vitit 2013, të ministrit Cani. Ministri ka urdhëruar të kryhet auditimi i procedurave të rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të Tiranës. Sipas Elezit, në përfundim të auditimit u zbulua një skemë e mashtrimit me TVSH-në. “Gjatë këtij procesi audituesi i drejtorisë sonë, që ka qenë i angazhuar, na ka paraqitur një informacion me shkrim, ku na shpjegon se një pjesë e procesit të rimbursimit të përfshirë në skemë ishte kryer në sistem: njohja e tepricës kreditore përtej 12 periudhave që e lejon ligji, miratimi i shumës së tepricës kreditore, miratimi i rimbursimit e me radhë, ishin veprime të kryera në sistem.
Audituesi i angazhuar në diskutim me inspektorët tatimorë, të cilëve iu shfaqej emri në sistem se kishin kryer veprimet, ka konkluduar se personi të cilit i është shfaqur emri, nuk ishte ai që kishte kryer hedhjen në sistem”, ka sqaruar Elezi faktin që në server kishte ndërhyrje nga persona të paautorizuar. “Ne nuk i kemi kapacitetet për të audituar sistemet në stafin e drejtorisë, kështu që i kemi bërë një informacion me shkrim ministrit të Financave, ku i kemi thënë që mendonim të kryhej një auditim mbi sigurinë e sistemit të IT-së. Një funksion auditimi e nënkontraktuar në përmbushje të kritereve të caktuara nga Ministria e Financave”, është shprehur Tatjana Elezi. Komisioni hetimor, i ngritur për herë të tretë me vendim të Kuvendit, ka objekt kontrollin e zbatimit të legjislacionit tatimor në administrimin e bazës së të dhënave shtetërore nga ana e administratës tatimore për periudhën 12 nëntor – 7 dhjetor 2013. Gjithashtu, objekt i hetimit është dhe verifikimi i problematikës së ndërhyrjeve në sistemet tatimore, si dhe arsyet e mosfunksionimit të tyre për disa ditë.
Më të lexuarat








