Secondary Adv

Inflacioni, Ndryshon konsumi nga rritja e kostove te jeteses

Që prej pranverës së kaluar, çmimet po rriten me ritmet më të larta të 25 viteve të fundit.

 

Teksa konsumatorët po përshtaten, duke zgjedhur alternativat më të lira, po shfrytëzojnë ofertat, po blejnë sasi më të pakta dhe po orientohen drejt disa produkteve vendase që kushtojnë më lirë se importet.

 

Orientimi i konsumit drejt produkteve më të lira ka gjasa të cenojë sigurinë ushqimore, sidomos në qarqet e vendit, ku fuqia blerëse është më e ulët dhe agjencitë e kontrollit kanë ndikim më të ulët.

 

Që nga prilli i vitit të kaluar, çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dyshifrore mbi 10% pas një stabiliteti prej gati dy dekadash. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar vjetor shënoi rritje me 6.7%, por çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dy herë më të larta, 12.5%.

 

Rritja e çmimeve në produktet kryesore të shportës ndikon së tepërmi në sjelljen e konsumatorëve në vend, pasi shqiptarët shpenzojnë për blerjen e ushqimeve 41.3% të shpenzimeve mujore. Pesha e madhe që ushqimet kanë në shpenzimet e konsumatorëve po reflektohet në tregtinë me pakicë.

 

Për shkak të çmimeve të larta, shihet prirja drejt konsumit të produkteve që kushtojnë më lirë. 

 

Shtresa e mesme orientohet drejt alternativave më të lira

 

Me zgjatjen e luftës në Ukrainë dhe ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike, zinxhirët e furnizimit janë dëmtuar më tej gjatë 2022, teksa inflacioni ka hyrë në një normalitet të ri dhe do të qëndrojë gjatë.

 

Në vendin tonë, shtresa e mesme, e cila zotëron fuqinë blerëse në njësitë e specializuara (supermarkete) po braktis blerjen e produkteve cilësore, duke realizuar blerje në alternativat më të lira.

 

Për shembull, në produktet e vajit, makaronave, orizit dhe bulmetit, shiten seritë më të lira. Zëvendësimi po ndodh më shumë te produktet e bulmetit dhe vajit. Çmimet e vajit dhe bulmetit, pas luftës në Ukrainë, janë rritur më shumë se dyfishi.

 

Ndërsa rritja e çmimit të vajit industrial zhvendosi konsumin te vaji i ullirit, çmimi i të cilit, për shkak të superprodhimit, gati u barazua me atë të vajit të lulediellit.

 

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se mungesa e fuqisë blerëse, e cila është dëmtuar edhe më tej nga inflacioni, po orienton konsumin drejt prodhimeve më të lira. Sipas z. Jaka, kjo tendencë mbart rrezik, pasi edhe prodhimi nxitet të orientohet nga kërkesa.

 

Duke prodhuar mallra më të lira ka gjasa që ekonomia të shkojë në një spirale më të ulët të zinxhirit të vlerës, tha z. Jaka. Ai propozon që pagat duhet të rriten si në sektorin e biznesit, ashtu edhe në atë të administratës, në mënyrë që konsumi të mbahet në ekuilibër.

 

Kur çmimet ishin stabël, konsumatorët kishin prirje të blinin disa produkte importi, p.sh., mollë, portokaj ose zarzavate, duke besuar në cilësinë e tyre. Por rritja e çmimeve i ka zhvendosur preferencat në prodhimet e vendit.

 

Tani konsumatorët e shtresës së mesme po orientohen nga çmimi dhe jo cilësia. Tregtarët e pakicës pohojnë se orientimi drejt produkteve më të lira është i dukshëm në të gjithë artikujt e shportës.

 

Epoka e çmimeve të larta është një fenomen global. Konsumatorët po shfaqin sjellje të ngjashme kudo në botë. Një anketë e “Euromonitor” vërejti se kriza e kostos së jetesës ka shkaktuar zhvendosje në prioritetet e konsumatorëve.

 

Gjithnjë e më shumë njerëz po i japin përparësi vlerës dhe nuk po i qëndrojnë besnik markës. Anketa tregoi se 24% e konsumatorëve globalë kërkuan në mënyrë sistematike mallra me kosto të ulët në vitin 2022, nga 18% në 2021 dhe kjo tendencë është në rritje më 2023.

 

Ulen sasitë e blerjeve

 

Konsumatorët kanë ulur sasinë e blerjeve prej rritjes së çmimeve. P.sh., nëse më parë, furnizimet për artikujt e shportës bëheshin me disa kilogramë, tani furnizimet në sasi kanë pësuar rënie, pohojnë tregtarët e pakicës. Janë shmangur furnizimet që bliheshin për një kohë të gjatë.

 

Më së shumti, ndryshimi i zakoneve të blerjeve po ndodh te shtresa e mesme, pasi mbi këtë nivel, konsumatorët kanë mbajtur qasjen të pandryshuar.

 

Sasitë më të pakta të blerjeve janë konfirmuar edhe nga të dhënat e tregtisë me jashtë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në janar të këtij viti, importi i ushqimeve në sasi pësoi rënie me 13%.

 

U importuan 45 tonë ushqime, nga 52 tonë që ishin importuar në janar 2022. Shqipëria është ende një importues neto i ushqimeve.

 

Importet në vlerë janë tre herë më të larta se eksportet. Pjesa më e madhe e nevojave plotësohet me ushqime importi. Rënia e ushqimeve të importuara në sasi nisi vitin e kaluar, duke reflektuar mungesën e fuqisë blerëse.

 

Vitin e kaluar, importet e ushqimeve në sasi pësuan rënie vjetore me 7%, ndërkohë që në vlerë, shënuan rritje me 14%. Kjo do të thotë se konsumatorët shqiptarë vitin e kaluar harxhuan për ushqimet e importuara 14% më shumë, por konsumuan 7% më pak.

 

Rriten shitjet me oferta

 

Tani këndet e supermarketeve me oferta janë më të frekuentuarat. Menaxherët tregojnë se më parë, ofertat parapëlqeheshin nga një e katërta e blerëseve, por tani kjo përqindje është rritur. Konsumatorët janë bërë më të vëmendshëm për mundësitë që ofrojnë çmimet, duke ndryshuar shpesh edhe vendin e furnizimit.

 

Në Tiranë, tregjet e njohura për çmime të lira në Kombinat dhe në ish-Uzinën Dinamo tani kanë më shumë blerës. Tregtarët e ushqimeve në ish-Uzinën Dinamo, të cilët shesin me pakicë të paktën 30% më lirë se në tregjet e tjera, pohuan se këtë vit, po shohin një kategori të re klientësh. “Ka juristë, ekonomistë, etj., që po furnizohen në pikat e mia, që nuk vinin më parë.

 

Këtu zakonisht vinin pensionistët dhe më të varfit për shkak të çmimeve më të lira”, – tha Adriani, i cili zotëron një njësi që shet produkte ushqimore me shumicë dhe pakicë. Ai pohon se është zgjeruar edhe gjeografia e blerësve, pasi janë shtuar klientët nga zona të largëta, që nga Komuna e Parisit, Fresku etj., që vijnë të blejnë për shkak të çmimeve më të lira.

 

Me të ardhura në vendnumëro dhe çmimet në rritje, konsumatorët kudo në botë po u drejtohen gjithnjë e më shumë ofertave dhe tregjeve të lira. Anketa e “Euromonitor” zbuloi se 31% e konsumatorëve globalë kanë planifikuar të rrisin blerjet në dyqanet që ofrojnë zbritje.

 

Supermarketet që shesin mallra të lira po rrisin me shpejtësi klientët kudo në Europë. Në nivel global, ofertat pritet të zotërojnë 10.6% të shitjeve totale të ushqimeve.

 

Bie konsumi në bare, restorante dhe hotele

 

Rritja e çmimeve të artikujve të shportës ka sjellë ulje zinxhir të konsumit në të gjitha mallrat dhe shërbimet. Kostot e larta të jetesës po reduktojnë konsumin në bare, restorante dhe hotele.

 

Bizneset e sektorit pohojnë se tani, njerëzit priren të konsumojnë vakte në shtëpi dhe të reduktojnë numrin e kafeve në barë, një zakon që dominon rutinën e shqiptarëve.

 

Enri Jahaj, i cili drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve në vendin tonë pohoi se, shtrenjtimi i kostos së jetesës ka sjellë rënie të konsumit në bare dhe restorante me 30%.

 

Tani një shumicë e madhe njerëzish po konsumojnë kafe në shtëpi, një zakon që u diktua nga pandemia Covid-19 dhe po vijon edhe tani. Me të njëjtën situatë po përballen edhe restorantet dhe hotelet.

 

Një nga restorantet e peshkut në Golem pohoi rënie drastike të konsumit gjatë fundjavës këtë vit, që sipas administratorit po vjen nga reduktimi i popullsisë dhe rritja e kostos së jetesës. “Personat që deri para pandemisë konsumonin çdo javë në restorantin tonë, tani na frekuentojnë një herë në muaj, ose në dy muaj”.

 

Njësia më e madhe hoteliere në vend, “FAFA Resort”, pohoi rënie të net-qëndrimeve në fundjavë. Para se kostot e jetesës të rriteshin, fundjavat ishin dy ose treditore, por tani janë reduktuar në një natë.

 

Inflacioni godet më fort të varfrit

 

Familjet në 20 përqindëshin e popullsisë me të ardhura të ulëta janë më të goditurat nga inflacioni. Më shumë se 33% e popullsisë në Shqipëri, afërisht 1 milion banorë, janë të ekspozuar ndaj pasigurisë ushqimore sipas përllogaritjes që bëri Njësia për Ushqimin dhe Bujqësinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (FAO) në studimin “Siguria Ushqimore në Botë 2021”, i publikuar së fundmi.

 

Shqipëria u rendit e para në Europë për numrin e madh të popullatës në pasiguri për ushqim, e krahasueshme vetëm me disa shtete të Afrikës.

 

Për shkak të kësaj brishtësie, popullsia e vendit tonë është e ekspozuar ndaj krizave globale dhe çmimeve të larta të importit. Profili i lartë i varfërisë e ekspozon edhe më tej popullatën.

 

Banka Botërore, në një analizë të posaçme rajonale, gjeti vitin e kaluar se ecuria e inflacionit në Shqipëri pasqyron më shumë ndryshimin e çmimeve në shtresën e mesme, pasi shtresat e varfra përballen me kosto më të larta.

 

Pesha e shpenzimeve për ushqime në familjet e varfra në varësi të vendndodhjes arrin edhe në 60% të të ardhurave mujore, ndaj çmimet e larta rrisin së tepërmi koston e jetesës te të varfrit.

 

Në Shqipëri, kostot e larta të produkteve të shportës diktohen nga pamjaftueshmëria ushqimore, gjë që do të thotë se prodhimi vendas në zinxhirët e ushqimit nuk është i mjaftueshëm për të përballuar nevojat.

 

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, janë importues neto të ushqimit.

 

Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor nuk e vlerësojnë shkallën e vetëmjaftueshmërisë ushqimore çdo vit, raportoi Rrjeti i Bashkëpunimit Rajonal në Sektorin e Bujqësisë (SWG) në një studim krahasues për kapacitetet e sektorit bujqësor të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (Serbi, Bosnjë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Mal i Zi dhe Kosovë).

 

SWG vlerëson se vetëm Serbia i ka detajuara dhe të përditësuara të dhënat për vetëmjaftueshmërinë ushqimore. Të dhënat tregojnë se në Ballkanin Perëndimor vetëm Serbia ka vetëmjaftueshmeri në shumicën e produkteve bujqësore.

 

Shqipëria ka mjaftueshmëri në prodhimin e vezëve dhe domateve, dhe Maqedonia e Veriut në speca dhe domate. Bosnjë-Hercegovina ka vetëmjaftueshmëri me kumbulla, mjedra, trofta, mollë, dardha, ndërkohë që plotëson një pjesë të madhe të nevojave në qumësht, pula dhe dele.

 

Kosova ka vetëmjaftueshmëri vetëm me kumbulla, dhe është rreth 80% e vetëmjaftueshme në produkte qumështi dhe disa lloje perimesh. Mali i Zi, si një destinacion turistik, nuk ka mjaftueshëm produkte ushqimore, përveç verës.

 

Rritja e çmimeve, në të gjitha kohërat, ka treguar për efekte gati të njëjta me luftërat dhe pandemitë. Çmimet e larta shndërrohen në grabitqarë që gërryejnë me shpejtësi të ardhurat sidomos për shtresat e varfra.

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e fundit që i bëri ekonomisë tonë, rekomandoi që fondet publike të orientohen si mbështetje për shtresat në nevojë në vend të kontratave koncesionare pa fizibilitet dhe projekteve të mëdha të infrastrukturës.

 

Spiralja e çmimeve mund të cenojë, veç të tjerash, edhe sigurinë ushqimore, pasi shumë kompani për të mbajtur kostot nën kontroll, kanë nisur të spekulojnë me cilësinë dhe sasinë.

 

Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/si-po-ndryshon-konsumi-nga-rritja-e-kostove-te-jeteses-rendje-drejt-produkteve-me-te-lira/)


Më të lexuarat