Secondary Adv

Te dhenat e BSH: Frenohet rritja e kredive me probleme ne Mars

Rritja e raportit të kredive me probleme u frenua në muajin mars.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky raport ishte 5.15%, me një ndryshim shumë të lehtë nga niveli 5.16% i muajit shkurt.

 

Raporti i kredive me probleme e kishte nisur me një rritje të lehtë të lehtë vitin 2023, rritje që ishte në fakt e pritshme duke marrë në konsideratë inflacionin e lartë, rritjen e normave të interesit dhe ngadalësimin e kreditimit në gjysmën e dytë të vitit 2022.

 

Megjithatë, deri tani rritja po mban përmasa të kufizuara. Raporti i kredive me probleme është rritur me vetëm 0.15 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit të kaluar, ndërsa qëndron në nivele pak më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me rreth 0.2 pikë përqindje më pak.

 

Një ndikim në frenimin e rritjes së këtij treguesi gjatë muajit mars mund të ketë pasur edhe rikthimi i rritjes së portofolit të kredisë në të njëjtën periudhë, pas pesë muajsh radhazi në rënie.

 

Në fund të marsit, vlera totale e portofolit në 711 miliardë lekë, në rritje me 1.1 miliardë lekë krahasuar me shkurtin. Kreditimi ka dhënë sinjale përmirësimi në tremujorin e parë të vitit.

 

Rënia e inflacionit dhe frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se i ka zbutur ndjeshëm pasiguritë e vitit të kaluar.

 

Yield-et e titujve të borxhit qeveritar, që janë tregues referues edhe për kreditë me interesa të ndryshueshëm në lekë, kanë pësuar rënie të dukshme.

 

Në tre vitet e fundit, raporti i kredive me probleme ka ruajtur një tendencë në rënie, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme që solli tërmeti, pandemia dhe inflacioni i lartë. Kjo tendencë u ruajt edhe vitin e kaluar, megjithëse me ritme më të ngadalësuara.

 

Bankierët mendojnë se viti 2023 do të tregojë më së shumti se cilat do të jenë efektet reale të rritjes së çmimeve dhe sidomos të rritjes së normave të interesit mbi cilësinë e portofolit të kredisë bankare. Deri tani, këto efekte duken të lehta.

 

Një rritje më e përshkallëzuar dhe më e shtrirë në kohë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë ka gjasa të amortizohet më lehtë nga tregu financiar dhe të ketë ndikime më të përballueshme në çmimin e borxhit të sektorit privat.

 

Nga ana tjetër, mund të vlerësohet se një ndikim të konsiderueshëm pozitiv po jep edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Më shumë se gjysma e portofolit të kredisë bankare është në valutë të huaj dhe një pjesë e mirë u takon huamarrësve që i sigurojnë të ardhurat e tyre në lekë.

 

Kursi i euros ka prekur tashmë minimumet historike dhe monedha europiane ku humbur afërsisht 8% të vlerës krahasuar me një vit më parë.

 

Kjo po i ndihmon huamarrësit në valutë të përballojnë më lehtë rritjen e normave të interesit dhe uljen e fuqisë blerëse që ka shkaktuar inflacioni i lartë.

 

Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë ka gati një plan masash për të parandaluar një rritje të rëndësishme të kredive me probleme, që ka në thelb lehtësimin e ristrukturimeve.

 

Deri tani, rritja e kredive me probleme nuk paraqitet në nivele shqetësuese. Por, nëse kjo rritje do të shpejtohet, pritet të aplikohet pezullimi i përkohshëm i kërkesave për klasifikimin si kredi me probleme të kredive që ristrukturohen.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rritja-e-kredise-me-probleme-u-frenua-ne-mars-tremujori-mbyllet-ne-nivelin-5-15/


Më të lexuarat