Paga te uleta dhe mungese e fuqise punetore ne Maqedonine e Veriut
Në dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut është prekur nga një prirje shumë e fortë emigracioni dhe sot, gjithnjë e më shumë kompani, kanë vështirësi për të gjetur staf.
Ndër zgjidhjet e propozuara është nxitja e ardhjes së punëtorëve nga vendet joeuropiane, shkruan Aleksandar Samardjiev për Observatorio Balcani.
Punëdhënësit në Maqedoninë e Veriut po përballen me një mungesë në rritje të punëtorëve, pasi shumë maqedonas kanë emigruar jashtë vendit, në kërkim të pagave më të mira.
Sipas përfaqësuesve të sektorit ekonomik, mungesa e punëtorëve është bërë një problem serioz në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë Covid-19.
Ekspertët thonë se problemi është shumëdimensional, duke marrë parasysh të dhënat e disponueshme: nga një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, aktualisht ka 115 mijë të papunë, ose gati 7% persona në moshë pune.
Megjithatë, shumë prej tyre kanë vetëm certifikata të shkollës fillore ose nuk kanë mbaruar shkollën e mesme.
Punëtorët nga jashtë
Disa përfaqësues të industrive si ndërtimi, tekstili, prodhimi dhe hoteleria, po flasin hapur tashmë për domosdoshmërinë e tërheqjes së punëtorëve nga vende të tjera.
Kjo “recetë”, e cila tashmë po zbatohet në vendet e zhvilluara, ende nuk ka dalë e qëndrueshme për vendet në zhvillim, si Maqedonia e Veriut, me një pagë minimale 300 euro dhe një pagë mesatare neto 500 euro.
Përfaqësuesit e qeverisë thonë se duhet të merret si mundësi importimi i punëtorëve nga vendet e tjera, por edhe investimi në kualifikim, trajnim dhe rikualifikim të punëtorëve maqedonas të papunë dhe të pakualifikuar.
Zëvendëskryeministri Fatmir Bitiqi tha për mediat vendase se Maqedonisë së Veriut i mungojnë 10 mijë punëtorë në vit dhe se rruga për zgjidhjen e problemit duhet të jetë importimi i fuqisë punëtore dhe rikualifikimi i të papunëve.
“Duhet t’i bëjmë këto dy lëvizje, që kompanitë tona të mbeten konkurruese, për shkak të ndryshimeve të shpeshta në zhvillimin industrial-teknologjik”, tha Bitiqi.
Megjithatë, ekspertë të tjerë paralajmëruan se importimi i fuqisë punëtore nga vendet joeuropiane mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër, por do të ishte e vështirë.
“Sjellja e fuqisë punëtore nga jashtë kushton rreth 2000 euro për punëtor, për shkak të akomodimit, ushqimit…
Të sjellësh një person nga Bangladeshi me biletë avioni, të gjitha lejet e nevojshme dhe ekzaminimet mjekësore, kushton më shumë se 1500 euro”, tha Zoran Kochoski, nga një agjenci private punësimi, në një debat televiziv.
“Duhet siguruar akomodimi, transporti, një lloj integrimi në sistemin social dhe shëndetësor të Maqedonisë së Veriut. Por kjo ende nuk është e rregulluar në vendin tonë. Shumë gjëra ende nuk janë rregulluar në këtë fushë”.
Për më tepër, sipas Kochoski-t, importi i fuqisë punëtore mund të jetë një zgjidhje kalimtare e problemit, sepse shumë punëtorë mund ta shohin Maqedoninë e Veriut vetëm si një vend tranzit për të arritur në vendet më të pasura të Bashkimit Europian.
Ai theksoi se kohët e fundit, Shqipëria tërhoqi njerëz nga Egjipti, por shumica e tyre u larguan drejt BE-së, e cila më pas e sanksionoi vendin. Për të ndryshuar gjërat, sindikatat dhe organizatat për të drejtat e punës, po bëjnë thirrje për paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
Investim në fuqinë punëtore vendase apo të huaj?
“Për shembull, për sa i përket aktivitetit përpunues në industrinë e tekstilit, mund të gjenden punëtorë nëse paguhen më shumë se paga minimale, dhe nëse paguhen mbi mesataren, sigurisht që do të gjenden”, tha për TV24, Biljana Jovanovska, ish-drejtoreshë e agjencisë shtetërore të punësimit.
Jovanovska thekson se shumica e vendeve të lira të punës, nuk kërkojnë kualifikime të mëdha profesionale dhe me një rikualifikim të vogël, një përqindje e madhe e të papunëve do të futeshin shpejt në procesin e prodhimit të kompanive vendase.
Megjithatë, përkrahësit e importimit të fuqisë punëtore, argumentojnë se mund të vijnë punëtorë të rinj dhe më të lirë, për shembull, nga Bangladeshi, ku paga minimale është 240 euro, krahasuar me 300 euro në Maqedoninë e Veriut.
Këta punëtorë mund të tërhiqen nga infrastruktura më e mirë dhe mbrojtja sociale më e lartë e ofruar në Maqedoninë e Veriut.
Sipas profesorit Lazar Jovevski, kombinimi demografik i plakjes së popullsisë dhe emigrimit masiv, mbetet një faktor: shumë maqedonas, të pakënaqur me kushtet e punës në shtëpi, emigrojnë dhe i nxisin familjarët të bëjnë të njëjtën gjë.
“Jo vetëm të rinjtë, por edhe njerëzit në fund të viteve të punës, vazhdojnë të lëvizin jashtë vendit”, tha Jovevski në një intervistë për TV Channel 5.
Marrëveshja e “Ballkanit të Hapur”, e cila u jep mundësi punëtorëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria të punojnë pa kufizime në të tre vendet, është një mundësi për të importuar punëtorë, por në të njëjtën kohë, ekziston rreziku që qytetarët maqedonas mund ta përdorin marrëveshjen për të shkuar në Serbi ose në Shqipëri.
Kritikët e kësaj ideje, thonë se ka mungesë të fuqisë punëtore edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se punëtorët nga vendet e afërta parapëlqejnë të shkojnë në vendet më të zhvilluara, si Gjermania, e cila e lehtëson pranimin e punëtorëve të rinj, madje edhe atyre më pak të kualifikuar.
“Zgjidhja e mungesës së punëtorëve duhet kërkuar në fuqinë tonë punëtore në vend. Punëdhënësit do të detyrohen t’i drejtohen ofertës vendase të punës, të rrisin pagat dhe të ofrojnë kushte dhe përfitime më të mira në punë.
Në Serbi dhe në Kroaci, disa nga kompanitë ofrojnë kushte më të mira për tërheqjen e punëtorëve nga zonat më pak të zhvilluara të vendit”, tha Trpe Deanovski, nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve, në një intervistë për Radion Europa e Lirë.
Disa të dhëna
Sipas të dhënave të Zyrës Shtetërore të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, nga viti 2022, popullsia aktive në Maqedoninë e Veriut përbëhet nga 808.328 persona, duke përfshirë 693.062 të punësuar dhe 115.266 persona të papunë:
shkalla aktuale e papunësisë është 14,3%, një nga më të ulëtat në 10 vitet e fundit. Në vitin 2022, sipas zyrës kërkoheshin më shumë punëtorë në industrinë përpunuese (2953), pasuar nga tregtia me shumicë dhe pakicë për riparimin e automjeteve (1735).
Në transport dhe magazinim kishte 996 vende të lira pune, ndjekur nga ndërtimi me 730 dhe teknologjia dhe komunikacioni me 580. Po ashtu, 377 vende të lira në arsim, 481 në shëndetësi dhe mbrojtje sociale dhe 803 në administratë dhe shërbime ndihmëse.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/maqedonia-e-veriut-paga-te-uleta-dhe-mungese-e-fuqise-punetore-2/