Secondary Adv

Papunesia tek te rinjte shqiptare eshte me e larta ne Europe

Ndonëse bizneset po ankohen për mungesën e fuqisë punëtore dhe tregu po e vuan ikjen e brezit të ri, papunësia tek të rinjtë shqiptarë është më e larta në Europë.

 

Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5% në 3-mujorin e fundit 2022 dhe rreth 20.7% për vitin 2022.

 

Në krahasim me mesataren europiane prej 6.3% (të raportuar nga Eurostat), shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është mëse tre herë më e lartë.

 

Edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit, treguesi është shumë më negativ. Sipas Eurostat, në Serbi, papunësia tek grupmosha 15-29 vjeç ishte 8.6% në 2022.

 

Në Maqedoninë e Veriut treguesi ishte 14% në 2020 dhe Mal të ZI 13.8% në vitin 2020 (e dhëna e fundit e disponueshme për të dy shtetet).

 

I gjithë rajoni ka arritur ta ulë papunësinë tek të rinjtë vitet e fundit (Maqedonia e Veriut e kishte treguesin mbi 20% deri në vitin 2015), ndërsa në Shqipëri në vitin 2022 papunësia tek të rinjtë shënoi një rritje të lehtë.

 

Shqipëria është e vetmja në Europë që e ka ende shkallën e papunësisë tek të rinjtë mbi 20% (të dhënat për Kosovën mungojnë).

 

Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan në vend të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1%.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipas nivelit arsimor, papunësia te grupmosha 15-29 vjeç, është më e lartë për ata me arsim të mesëm (25.3) dhe më pak për arsimin 8/9 vjeçar (18.9%) dhe atë të lartë (18.7%).

 

Sipas gjinisë, papunësia është më e lartë tek të rinjtë (22.4), ndërsa të rejat e kanë këtë tregues 20.5%.

 

Në Europë, përqindja e të rinjve të papunë ulet në 6.3% në 2022

Sipas Eurostat, në vitin 2022, 4.48 milionë të rinj të moshës 15 deri në 29 vjeç ishin të papunë në Bashkimin Europian, duke përfaqësuar 6.3% të popullsisë totale të së njëjtës moshë.

 

Duke parë tendencën afatgjatë, kjo përqindje në vitin 2022 shënon një nivel të ulët historik, që nga fillimi i matjes së serive kohore në 2009 (9.0%).

 

Situata midis vendeve të BE-së është shumë e ndryshme.

Përqindja e të rinjve të papunë mbi popullsinë totale, ishte nën 4% në Çeki (2,0%), Gjermani dhe Bullgari (3,3% secila), si dhe në Hungari dhe Poloni (3,5% secila).

 

Nga ana tjetër, përqindja ishte mbi 8% në Spanjë (11.2%), Greqi (10.6%), Suedi (10.3%) dhe Qipro (8.8%).

 

Krahasuar me vitin 2021, pjesa e të rinjve të papunë mbi totalin e popullsisë, është ulur në shumicën e vendeve të BE. Përjashtim bëjnë Qiproja, Letonia (+0,1 pikë përqindje secila), Rumania (+0,3 pikë përqindje) dhe Estonia (+0,4 pikë përqindje), ku kjo përqindje u rrit lehtë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ndonese-po-ikin-papunesia-tek-te-rinjte-shqiptare-eshte-me-e-larta-ne-europe/


Më të lexuarat