Secondary Adv

Kostot e larta te fuqise punetore, Perpunuesit e peshkut rrisin investimet per automatizim

Kostot e larta të fuqisë punëtore po orientojnë bizneset dikur në avantazh nga krahu i lirë i fuqisë punëtore të kthehen në kompani me procese të automatizuara.

 

Në treg, vitet e fundit, është zgjeruar numri i kompanive që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës.

 

Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia, Italia, Spanja dhe Argjentina përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri, dhe eksportohet në BE.

 

Por tashmë kostot e larta të fuqisë punëtore po orientojnë bizneset dikur në avantazh nga krahu i lirë i fuqisë punëtore të kthehen në kompani me procese të automatizuara. Ndër to janë edhe kompanitë e sektorit përpunues të peshkut.

 

Aldi Ndoci, administratori i kompanisë Mare Adriatik sh.p.k, përpunuesi më i madh i açuges në vend, tha për “Monitor” se tashmë industria fason e përpunimit të peshkut, po shkon drejt zhdukjes për shkak të kostove të larta të fuqisë punëtore.

 

Ai thotë se në dy fabrikat (njëra në Vaun e Dejës dhe tjetra në Tiranë), disa procese pune, për të cilat më parë paguheshin lirë punëtorët, prej vitesh është investuar në automatizimin e tyre.

 

“Fabrikat tona kanë lënë mënyrën e funksionimit si fason dhe kanë shkuar drejt mekanizimit të procesit. Nëse vite më parë, 70 deri në 80% e aktivitetit funksiononte si fason dhe 20% prodhim vendas, sot 70 deri në 80% janë prodhim vendas dhe 20% fason.

 

Për shkak të kostove të larta të punëtorisë, fasoni po shkon drejt zhdukjes.

 

Duhet theksuar se ndryshe nga vendet e tjera, ne paguajmë kosto ekstra për punëtorët, që përfshin tarifën e transportit të tyre me mjetet e vëna në dispozicion. Ndërkohë Europa po shkon drejt gjetjes së fuqisë së lirë punëtore në vendet afrikane”.

 

Z. Ndoci vlerëson pozitivisht rritjen e pagës minimale nga 1 prilli në nivelin e 40,000 lekëve. Ai thekson se që fabrikat e kësaj industrie të mbijetojnë, duhet të orientohen drejt modelit për eksportim vetë në supermarkata europiane të produkteve të gatshme “Made in Albania” dhe jo që të punojnë për të tretët.

 

Ndërsa pagesat e punonjësve duhet të jenë në nivelin 700 deri në 800 euro, për të qenë të konkurrueshëm me rajonin.

 

Ai thekson se edhe rishikimi i pragut të patatueshëm të pagave nga 40 mijë deri në 50 mijë lekë nuk favorizon punonjësit me paga deri në 60 mijë lekë.

 

Nga 1 qershori, pragu i patatueshëm i pagës do të jetë 50 mijë lekë. Punonjësit me paga deri në 60 mijë lekë të muaj do të paguajnë tatim mbi të ardhurat 3,250 lekë në muaj (60,000-35,000 x 13%).

 

Ecuria e eksporteve

 

Eksportet e grupit “Peshku dhe kafshët guackore të nënujshme” sipas të dhënave të INSTAT në periudhën janar-mars 2023 janë ulur 1% krahasuar me të njëjtën periudhë. Në vitin 2022, krahasuar me vitin paraardhës, importet e grupit janë rritur 3%.

 

Për të shtuar eksportin e peshkut të përpunuar, industria prej vitesh e thekson se është e domosdoshme negocimin për rritjen e kuotave të açuges së konservuar.

 

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar.

 

Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitit 2015, kuotat e eksportit përmbushen që në muajt gusht apo tetor.

 

Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore.

 

Momentalisht ata kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet.

 

Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend.

 

Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.

 

“Kuotat për eksportin e açuges në BE duhej të ishin negociuar që në vitin 2015 me marrëveshjen e MAS-së, por nuk ndodhi.

 

Ky është një problem për industrinë dhe shumë fabrika rrezikojnë të falimentojnë nga mosnegocimi i kuotave. Të shpresojmë që me hapjen e negociatave për MSA-në të diskutohet dhe miratohet edhe ky ngërç për industrinë tonë.

 

Tregu i BE-së përfaqëson kanalin kryesor tregtar për produktet e përpunuara të peshkut.

 

Administratori i kompanisë Mare Adriatik sh.p.k, z. Aldi Ndoci, shton se për shkak të plotësimit të kuotave që në muajin shtator, kompania që ai drejton ka gjetur tregje të reja eksportuese, jashtë Europës, siç është Turqia dhe SHBA.

 

Humbjet nga rënia e euros gjithashtu përbëjnë shqetësim edhe për eksportuesit e industrisë përpunuese të peshkut. Nga zhvlerësimi i monedhës europiane humbjet llogariten 40,000 deri në 50,000 euro në muaj.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/perpunuesit-e-peshkut-po-ndahen-nga-modeli-fason-rrisin-investimet-per-automatizimin/)


Më të lexuarat