Secondary Adv

Ngadalesohet rritja e kostove te ndertimit ne tremujorin e pare

Ritmet e rritjes së kostove të ndërtimit kanë dhënë sinjale ngadalësimi në fund të 2022-t dhe në tremujorin e parë të 2023-t.

 

Që nga tremujori i fundit i vitit 2020, kosto e ndërtimit po shënonte rritje të ndjeshme, si me bazë tremujore ashtu dhe vjetore, duke reflektuar si pagat ashtu dhe shtrenjtimin e materialeve të ndërtimit.

 

Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2023 arriti 111,6 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e parë 2023 është 5,3%, një vit më parë ky ndryshim ishte 5,0%.

 

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera” me 7,5%,

 

pasuar nga grupet “Shpenzime energjie” me 6,3%, “Shpenzime materiale” me 5,9%, “Shpenzime për paga” me 4,4%, “Shpenzime transporti” me 3,5%, dhe “Shpenzime makinerie” me 3,2%.

 

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënuan rritjen më të lartë me 6,2%, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 6,0% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 5,2%.

 

Ndryshimet tremujore të grupeve kryesore: Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 1,2%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022.

 

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 2,5%, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 2,3%, “Shpenzime transporti” me 1,0%, “Shpenzime për paga” me 0,9%, “Shpenzime materiale” me 0,8% dhe “Shpenzime makinerie” me 0,4%.

 

Më herët Banka e Shqipërisë njoftoi se hovi i rritjes së çmimeve të banesave u frenua në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

 

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, pavarësisht qëndrueshmërisë së kërkesës dhe rritjes së kostove të ndërtimit, agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme kanë raportuar çmime shitjeje më të ulëta ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm.

 

Sipas indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet me bazë 6-mujore, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 ka rezultuar në rritje me 16.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por është ulur me 9.1% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit.

 

Burimi:Monitor  https://www.monitor.al/ngadalesohet-rritja-e-kostove-te-ndertimit/


Më të lexuarat