Secondary Adv

Pika e re kufitare me Malin e Zi, Hodaj: Hapet ne fund te 2024

Komisioni për Politikën e Jashtme i ka dhënë dritën jeshile zbatimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe malazeze për çeljen e një pike të re kufitare Shën Nikollaj-Pulaj.

 

Kjo pikë kufitare vjen në kuadër të ndërtimit të urës mbi Bunë, duke afruar edhe më tej dy vendet.

 

Në Komisionin për Politikën e Jashtme, për të mbrojtur marrëveshjen i pranishëm ishte Julian Hodaj, zv Ministër i Brendshëm, i cili nënvizoi se, kjo marrëveshje është pjesë e serive të marrëveshjeve të nënshkruara me Malin e Zi, gjatë mbledhjes së dy qeverive në Podgoricë, më 27 shkurt 2023.

 

“Kjo marrëveshje është nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 27 shkurt 2023 dhe është propozuar nga pala malazeze.

 

Marrëveshje është komplementare, që i vjen në ndihmë funksionalitetit të ndërtimit të urës mbi Bunë, dhe meqenëse do kemi një urë që lidh dy krahët e kufirit, duhet dhe një pikë kufitare”, tha Hodaj. “Do të jetë funksionale 24 orë në ditë, në të 7-ta ditët e javës.

 

Do t’i vijë në ndihmë pasagjerëve dhe mjeteve të tyre. Do të ketë modelin e pikës kufitare të Muriqanit, e cila është me një pikë kontrolli e përbashkët me modelin “One Stop Shop”, pra një ndalim, një kontroll.

 

Të gjithë kemi pasur eksperiencë se sa kohë kursehet në këtë formë”, bëri të ditur Hodaj. Zv/ministri i Brendshëm shtoi se, “kjo marrëveshje ka disa avantazhe dhe përparësi, qoftë në nivelin e bashkëpunimit policor, qoftë në bashkëpunimin ekonomik.

 

Lehtësim të qarkullimit të mjeteve dhe shtetasve në kalimin e kufirit, si në regjistrim ashtu edhe kontroll. Kjo nuk do të lejojë vetëm lehtësimin e kalimit në kufi të zonave të nën-Shkodrës, Lezhës etj, por do të lehtësojë edhe pikën kufitare të Muriqanit.

 

Në Muriqan kalojnë rreth 600 000 shtetas shqiptarë dhe të huaj vajtje-ardhje në vit. Pra janë rreth 1.2 milionë kontrolle që kryhen”. “Nga ana tjetër do të stimulojë shkëmbimin mes grupeve turistike, shkëmbimin kulturor mes vendeve.

 

Kemi pasur një eksperiencë të mirë me modelin e pikës kufitare të Muriqanit. Urojmë ta kemi dhe në këtë rast.

 

Për sa i përket pjesës ekonomike, do të përballohet nga buxheti i Policisë së Shtetit dhe do të përballohet në planifikimin e buxhetit të ardhshëm të Policisë së Shtetit, pasi pika kufitare do të ndërtohet në vijim të ndërtimit të urës”, nënvizoi Hodaj.

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krrashi, relator i projektligjit të marrëveshjes, u shpreh se, kjo nisëm është mjaft pozitive për të fuqizuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të stimuluar turizmin në të dyja vendet.

 

I pyetur nga Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme, deputetja socialiste, Mimi Kodheli për kohën kur pika kufitare do të jetë funksionale, zv Ministri Hodaj, bëri të ditur se, pika do të jetë funksionale pas përfundimit të urës.

 

“Ura është parashikuar të mbyllet në fund të vitit 2024 dhe besojmë se në atë moment edhe pika kufitare do të jetë gati. Për kostot do të jemi në diskutim me palën malazeze, pasi do të jetë një godinë e përbashkët.

 

Është shpejt për ta thënë, por ka modele të ndryshme të pikave kufitare, që variojnë nga 2-4 milionë euro. Por është shpejt për t’u thënë fiks, do të kemi takime të tjera ku do planifikohet dhe kostot, e cila do ndahet me palën malazeze”, tha Hodaj.

 

I pyetur për fluksin e pasagjerëve që do të kalojnë në këtë pikë kufitare, Hodaj tha se do i vijë në ndihmë dy pikave të tjera kufitare Muriqanit dhe Hanit të Hotit, ndërsa pikun pritet ta ketë në kohën e sezonit turistik.

 

Deputeti socialist, Petro Koçi tha se, Shqipëria po ndjek një politikë fqinjësie me Malin e Zi mjaft të pozitive. “Unë ironikisht kam thënë se, me zhvillimet e reja Muriqani duhet të quhet Muriqesh, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve po përmirësohen gjithnjë e më shumë”, tha Koçi.

 

Opozita nuk pati pyetje mbi marrëveshjen, ndërsa dy deputetët e Partisë Demokratike në Komision, Agron Gjekmarkaj dhe Tomor Alizoti abstenuan gjatë votimit, ku marrëveshja mori votat pro të mazhorancës.

 

Marrëveshja e nënshkruar me 27 shkurt 2023, në Podgoricë nga Kryeministri Edi Rama dhe homologu malazez, Dritan Abazoviç përmban 18 nene.

 

Në relacionin bashkangjitur marrëveshjes theksohet si me rëndësi ekonomike fakti se nga pika e re kufitare do ketë stimulim të shkëmbimeve të aktiviteteve të grupeve turistike dhe të individëve turistë në destinacionet turistike në të dy anët e kufirit.

 

Po ashtu pritet stimulimi i zhvillimit të turizmit në këto zona do të shoqërohet me rritjen e të ardhurave në buxhetet e të dyja vendeve dhe rrjedhimisht, me rritjen e të ardhurave të bizneseve që ushtrojnë aktivitet në këto zona.

 

Ngritja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës do të ndikojë në promovimin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë, përfshirë këtu edhe rritjen e interesit të agjencive turistike për organizimin e tureve të vizitave turistike dhe njëkohësisht, do të ndikojë në përmirësimin e reputacionit të zhvillimeve turistike të vendeve tona.

 

Hapja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës, përveç përfitimeve financiare dhe turizmit do të ndikojë ndjeshëm edhe në lehtësimin e shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve.

 

Po ashtu, pritet të ketë ndikim në rritjen e efektivitetit të një kontrolli më të mirë të sektorit dhe vijës të kufirit përgjatë lumit Buna, si dhe shfrytëzimin e vlerave turistike të lumit Buna, liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Ulqinit, Velipojës, Malësisë së Tivarit dhe zonave përreth./Burimi:Oranews.al


Më të lexuarat