Secondary Adv

Bie importi i mallrave Serbe, Rafuna: po zevendesohen nga Shqiperia

Masa e sigurisë e vendosur tre muaj më parë nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe ka ndikuar që të rritet importi në vendin tonë nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.

 

Produktet nga Serbia po zëvendësohen po ashtu edhe me produkte nga Bashkimi Evropian. Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2023, arritën në 73,9 milionë euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 16,4%.

 

Sipas këtij raporti vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,9%), Shqipëria (5,4%), Serbia (1,3%). Megjithatë, ekspert të ekonomisë kërkojnë që masa ndaj produkteve të Serbisë të analizohet nga Qeveria, pasi që sipas tyre, kjo është në dëm të vendit.

 

Ndonëse sipas komuniteti të biznesit në Kosovë, disa brende ndërkombëtare, veçanërisht nga Gjermania, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia që operojnë edhe në Serbi e për destinim eksportin në Kosovë.

 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulëzim Rafuna, thotë për KosovaPress se nga statistikat shihet se ka një ngritje të importeve të mallrave sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

 

Sipas Rafunës produktet që nuk janë importuar nga Serbia, kanë filluar të zëvendësohen nga shtetet fqinje. Po ashtu Rafuna thotë se kompanitë e huaja që operojnë në Serbi kanë shprehur shqetësimin për masën e sigurisë të vendosur nga Kosova.

 

Edhe njohësi për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu thekson se kjo masë nuk është më e duhura për Kosovën. Sipas ish-kryetarit të OEK-ut masa e sigurisë më shumë e dëmton Kosovën.

 

Ndërkaq, sa i përket kësaj çështje ka reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë masat që kufizojnë importet nga Serbia, e të cilat pengojnë interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore.

 

Në reagimin e OEAK-s thuhet se sipas të dhënave zyrtare të shqyrtuara nga Oda Amerikane, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39 për qind krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare.

 

“Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikojnë në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare.

 

Shumë prej këtyre bizneseve, janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”, thuhet në reagim.

 

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

 

Ndërkohë, Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte./Burimi: KosovaPress/abcnews.al


Më të lexuarat