Secondary Adv

Ekonomia e Kosoves rritet me vetem 2 per qind, kritikohet Qeveria

Prodhimi i Brendshëm i Kosovës ka shënuar rritje vetëm për 2.02% në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa eksportet e mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11%.

 

Prodhimi i Brendshëm së Kosovës ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se rënia e eksporteve të mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11 për qind.

 

“PBB-ja në tremujorin e dytë 2023 shënon rritje reale për 2.02 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.

 

Komponentët e PBB sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin eksporti i shërbimeve me 13.62%, importi i mallrave dhe shërbimeve me 6.29 %, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 3.96%, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 3.68 % dhe formimi i bruto kapitalit me 2.04%.

 

Ndërsa, rënie kishte eksporti i mallrave me 10.67 për qind”. Pas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këtë normë, siç e kanë quajtur ata, të ulët ekonomike.

 

Sipas tyre, kjo rritje e ulët ekonomike po e degradon çdo ditë e më tepër standardin e jetës së qytetarëve në vend.

 

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se kjo është norma më e ulët e rritjes ekonomike në dhjetë vitet e fundit.

 

“Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishte vetëm 2.02 për qind – norma më e ulët e rritjes në dhjetë vitet e fundit”.

 

Tutje, ai është shprehur se kjo normë kaq e ulët e rritjes ekonomike kryesisht reflekton kushtet e vështira nëpër të cilat po kalon sektori privat.

 

“Këto të dhëna tregojnë se kah po shkon ekonomia e vendit dhe me këtë edhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës që po degradon çdo ditë e më tepër. Drejtimi që ka marrë ekonomia e vendit që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit ilustrohet qartë nga figura në vijim”, ka përfunduar ai.

 

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka potencuar se rritja ekonomike në vend është më e ulëta ndonjëherë.

 

Bajrami në një postim në Facebook shkruan se nuk ka dialog me biznese, 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, ndërkaq janë bllokuar investimet kapitale.

 

“Që 80 ditë vendin e kemi nën sanksione, që tri vite i kanë bllokuar investimet kapitale, nuk ka asnjë politikë fiskale, asnjë reformë për përmirësim të ambientit të biznesit, nuk ka rritje të pagave,

 

42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, vetëm 18 për qind në investime kapitale që nuk arrijnë t’i shpenzojnë, nuk ka bashkëpunim me komuna, nuk ka dialog me biznese, ka korrupsion, ka nepotizëm dhe ka tenderë me negocim.

 

Dhe ja rezultati 2.02 për qind rritja ekonomike për tremujorin e dytë 2023, më e ultë ndonjëherë”. Për profesorin e ekonomisë Nagip Skënderi, qeveria aktuale është duke u ushqyer me propagandë dhe se nuk është duke prodhuar politika efikase.

 

“Kjo qeveri është duke u ushqyer me propagandë ekonomike, pra me disa të dhëna statistikore që nuk përkojnë me realitetin ekonomik që është aktualisht.

 

Qeveria aktuale nuk është duke prodhuar politika efikase ekonomike, sidomos politika fiskale që janë të qëndrueshme që e stimulojnë prodhimtarinë dhe për të gjeneruar vende të reja të punës”.

 

Profesori universitar thotë se fuqizimi i sektorit privat duhet bërë përmes politikave afatgjate ekonomike, e jo përmes subvencioneve.

 

“Të gjenerohen vendet e punës, të fuqizohet sektori privat duke i ofruar përkrahje jo përmes subvencioneve, por përmes politikave ekonomike të cilat kanë një qëndrueshmëri afatgjate, për të gjeneruar vende të reja të punës”.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ekonomia-e-kosoves-shenon-rritje-vetem-2-02-kritikohet-qeveria/


Më të lexuarat