Secondary Adv

Produktet farmaceutike nuk njohin krize konsumi, importet rriten me 17 per qind

Reduktimi i popullsisë po shkakton rënien e importeve në disa kategori, por importet e produkteve farmaceutike në sasi shënuan rritje me 17% në janar-gusht 2023.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e produkteve farmaceutike në sasi arritën në 4400 tonë në periudhën referuese nga 3800 tonë që ishin me 2022, por në terma të vlerës ato shënuan rënie me rreth 1 %.

 

Kjo ecuri tregon për një rritje të sasisë së produkteve farmaceutike të importuara, por me çmim më të ulët.

 

Ekspertët e tregut farmaceutik shpjegojnë se, vlera e importeve ka rënë, pasi janë reduktuar vaksinat dhe antibiotikët kundër Covid -19 që rriten vlerën e importeve gjatë viteve 2021 dhe 2023 (shiko grafikun më poshtë).

 

Zgjerimi i importeve në sasi për produktet farmaceutike po udhëhiqet nga rritja e konsumit për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve.

 

Por nga ana tjetër, hapësirat për rritje të mëtejshme të importeve në artikujt e farmaceutikës janë të larta për shkak se shqiptaret kanë konsumin më të dobët për frymë të produkteve farmaceutike në raport me Europën dhe vendet e rajonit.

 

Të dhëna më të detajuara tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët në ne barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet, kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervore etj.

 

Psh barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk janë futur në tregun shqiptar.

 

Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme te tilla Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune.

 

Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalor i specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.

 

Përfaqësuesit e tregut farmaceutik bëjnë me dije se nevojat e popullsisë janë shumë më të larta se furnizimet aktuale. Po përvoja globale ka treguar se financimet publike dhe orientimi i tyre i drejtë i çon përpara sistemet shëndetësore dhe përmirëson ndjeshëm shërbimet shëndetësore për popullatën.

 

Financimet e ulëta buxhetore behën shkak për rimbursim të ulët të medikamenteve inovative që kurojnë sëmundje të tilla si kanceri dhe auto imunet.

 

Fondet buxhetore për rimbursimin e medikamenteve kanë qëndruar në nivelin 10-11 miliardë lekë për vite me radhë edhe pse nevojat e popullatës në plakje janë në rritje.

 

Qëndrimi në vendnumëro i fondeve të rimbursimit mban gjithashtu tregun e barnave të pazhvilluar dhe e orienton ndaj produkteve me të lira./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/produktet-farmaceutike-nuk-njohin-krize-konsumi-importet-rritje-vjetore-me-17-ne-8-mujor/


Më të lexuarat