IIF: Borxhi global arrin ne 307 trilione dollare ne tremujorin e dyte
Borxhi global arriti një rekord të ri në tremujorin e dytë, në 307 trilionë dollarë, pavarësisht rritjes së normave të interesit që frenojnë kredinë bankare.
Huamarrësit shtuan 10 trilion dollarë në malin e borxhit në gjysmën e parë të 2023, sipas Institutit të Financave Ndërkombëtare (IIF).
Borxhi total tani arrin në 336 për qind të PBB-së globale, një rritje krahasuar me gjysmën e dytë të 2022, rritja e parë në dy vjet.
Kjo vjen pasi borxhi i qeverisë amerikane arriti një rekord prej 33 trilion dollarësh këtë muaj, mes programeve të huamarrjes dhe shpenzimeve të mëdha nga administrata Biden.
IIF tha se ekonomitë e pasura botërore kanë nxitur bumin e huamarrjes. “Mbi 80 për qind e rritjes së borxhit erdhi nga tregjet e zhvilluara në gjysmën e parë të 2023, me SHBA-në, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe Francën që regjistruan rritjet më të mëdha”, tha IIF.
“Në tregjet në zhvillim, rritja ka qenë më e theksuar në Kinë, Indi dhe Brazil.” Borxhi në Mbretërinë e Bashkuar arriti në 12.9 trilion dollarë, një rritje prej 330 miliardë dollarësh në gjysmën e parë të vitit.
Kjo përfshin një rritje prej 190 miliardë dollarësh të borxhit të qeverisë, një shifër e përmirësuar nga fuqia e paundit në muajt e fundit.
Raporti vjen në një kohë kur normat e interesit vijojnë të rriten, duke rritur gjithashtu kostot e shërbimit të borxhit të qeverive në mbarë botën. Pagesat e interesit të borxhit të qeverive globalisht gjatë 12 muajve të fundit arritën në 3.5 trilion dollarë, një rekord i lartë.
Borxhet e familjeve në mbarë botën ranë nga 57.9 trilion dollarë në 57.7 trilionë dollarë, pasi bankat shtrënguan kreditimin. Kjo përfaqëson një rënie nga 62.3 për qind e PBB-së në 61.9 për qind.
“Barrat e borxhit të konsumatorit mbeten kryesisht të menaxhueshme në tregjet e zhvilluara, duke lejuar hapësirë shtesë për shtrëngim të mëtejshëm të politikave monetare të bankave qendrore nëse vazhdojnë presionet inflacioniste”, tha IIF.
Burimi: The Telegraph/Monitor https://www.monitor.al/iif-borxhi-global-arrin-ne-307-trilione-dollare-ne-tremujorin-e-dyte/