Secondary Adv

Standard&Poors vlereson pozitivisht ekonomine, Mete: Kemi financa te forta

Vlerësimi pozitiv i ekonomisë nga agjencia Standard&Poor's, për Ministrin e Financave tregon progresin që ka bërë vendi në menaxhimin e financave publike.

 

“Agjencitë e vlerësimit pasi mbledhin dhe analizojnë informacione për të dhënat ekonomike - PBB, inflacionin, politikat fiskale dhe monetare, stabilitetin politik dhe faktorë të tjerë institucionalë të rëndësishëm, - gjykojnë sesi vendi menaxhon financat e tij, nëse ka një qëndrueshmëri institucionale, si edhe ecurinë e ekonomisë dhe reformave.

 

Bazuar në këto analiza, agjencia e vlerësimit jep një vlerësim që mund të ndikojë në koston apo interesat e vendit në huamarrje”, tha Mete.

 

Mete vlerëson se vendimmarrja e agjencisë pas 7 vitesh, e klasifikon Shqipërinë tek grupi i vendeve me financa të forta publike.

 

“Dje agjencia Standard & Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta.

 

Vlerësimi i Standard&Poor’s është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore dhe procesin e integrimit evropian.

 

Në veçanti ulja e nivelit të borxhit publik dhe progresi i reformave kanë qenë një faktor i rëndësishëm për këtë vlerësim pozitiv”, u shpreh ministri.

 

Në deklaratë për mediat Mete bëri edhe një përmbledhje të treguesve ekonomik të vendit përgjatë këtij viti, duke nisur nga rënia e inflacionit, rritja e punësimit dhe ecuria pozitive e investimeve të huaja.

 

“Vlerësimi i përmirësuar është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë Shqiptare. Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore.

 

Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin gusht 2023.

 

Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që pjesëmarrja në tregun e punës është përmirësuar ndjeshëm.

 

Investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke arritur në afro 700 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit 2023”, theksoi në dalje për mediat ministri i Financave Ervin Mete.

 

Ministri ndalet edhe tek turizmi, ku thekson nevojën për shtim të kapaciteteve pritëse. “Turizmi ka patur një zgjerim të jashtëzakonshëm që kërkon një ndjekje të dedikuar sa i përket përmirësimit të kapaciteteve pritëse dhe shërbimeve të lidhura me industrinë mbështetëse të këtij sektori.

 

Si rezultat i përmirësimit të bilancit tregtar, të ardhurave nga turizmi dhe i investimeve të huaja direkte, ka patur përmirësim të ndjeshëm të ekuilibrit të jashtëm.

 

Llogaria korrente, rezultati i të gjithë marrëdhënieve të vendit me jashtë, pritet të zbresë poshtë 6% të PBB-së për herë të parë pas 15 vitesh”, tha Mete.

 

Një ditë më parë, Shqipëria mori vlerësim pozitiv nga agjencia kombëtare e vlerësimit Standard and Poor’s. Më 22 Shtator 2023, agjencia ka rishikuar perspektivën e saj për Shqipërinë nga “e qëndrueshme”, në “perspektivë pozitive”.

 

Në të njëjtën kohë, agjencia rikonfirmon vlerësimin e vendit në “B+”./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat