Kërkimet për naftë në Shpirag e kanë bërë industrinë nxjerrëse sektorin që ka tërhequr më shumë investime të huaja, investime që rriten çdo vit.
Në gjashtë muajit e parë të vitit në këtë sektor janë investuar 133 milionë euro nga investitorë të huaj, nga 114 milionë euro që u investuan vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
Për këtë periudhë të parë të vitit industria nxjerrëse është në krye të listës si sektori që ka përfituar më shumë para nga investitorët e huaj. Ndërsa në 5 vite prej 2018-ës në këtë aktivitet janë investuar 1.2 miliardë euro.
Ndërsa në vend të dytë është aktiviteti i pasurive të paluajtshme, në të cilin janë investuar nga janari deri në qershor 127 milionë euro. Investimet në këtë sektor janë përqendruar më së shumti në blerjen e vilave apo apartamenteve në zonat më të zhvilluara të kryeqytetit dhe në bregdet.
Pavarësisht se ka fluks të lartë parash që qarkullon në këtë sektor, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë investimet e huaja në krahasim me vjet kanë rënë me 21 milionë euro, pasi në gjashtëmujorin e parë të 2022 në pasuri të paluajtshme ishin investuar 148 milionë euro.
Ndërkohë në 5 vite ky sektor ka përfituar 913 milionë euro. Për këtë periudhë janë investuar 120 milionë euro edhe në fushën e sigurimeve, gati duke u dyfishuar në krahasim me 2022-in kur në gjashtë muaj u investuan në total 66 milionë euro.
Ndërkohë vijojnë të bien investimet në sektorin e energjisë elektrike për shkak të përfundimit të projekteve prioritare si TAP apo investimi në kaskadën e Devollit.
Në total në 6 muaj në Shqipëri të huajit kanë investuar 686 milionë euro nga 607 milionë euro që investuan vjet. Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.