Misioni i FMN-se serish ne Tirane per borxhin dhe investimet
Një Mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar po bisedon në Tiranë me përfaqësues të qeverisë për të gjetur mënyra të reja investimesh, pa cënuar rezervën që po krijohet nga mbledhja më e mirë e taksave. Qeveria ka shlyer deri tani rreth 250 milionë dollarë detyrime të prapambetura firmave private për investimet publike të papaguara dhe është angazhuar të ulë borxhin publik. FMN po studion nga afër mundesitë e rritjes ekonomike të Shqipërisë me nisjen e një bashkëpunimi të ri midis tyre.
Misioni i FMN mbërriti në Shqipëri dhe ka nisur konsultimet dyjavore me ekspertët shqiptarë për gjendjen e financave shtetërore dhe politikave monetare në gjysmën e parë të vitit para se të hidhen hapa në të ardhmen. Përfaqësuesit e FMN-së po zhvillojnë një seri bisedimesh teknike me specialistë nga ministria e financave dhe e ekonomisë, drejtorisë së tatimeve dhe Bankës së Shqipërisë për të mësuar nga afër një mori detajesh që lidhen me rezultatet ekonomike.
Sipas të dhënave të besueshme më të fundit, studiuesit po shqyrtojnë situatën makroekonomike, rritjen ekonomike, inflacionin, mbledhjen e taksave, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Qeveria është angazhuar për shlyerjen e borxheve ndaj privatëve për punët publike që janë kryer. Jozyrtarisht mësohet se deri tani qeveria ka shlyer bizneseve nga detyrimet e prapambetura 250 milionë usd nga 350 milionë gjithsej të planifikuara.
Në qendër të vëmendjes janë po ashtu edhe reformat në fushën e energjisë, pensioneve si edhe investimet e huaja, niveli aktual i borxhit, buxheti i shtetit, shpenzimet dhe investimet. Do të shqyrtohet edhe një herë se cilat taksa mund të preken dhe cilat jo apo se cilat kanë sjellë më shumë rezultat. Një nga temat e diskutimeve me FMN-në është edhe mënyra e përdorimit të tepricave që janë krijuar tek të ardhurat prej mbledhjes më të mirë të taskave. Një rrugë është që tepricat të mbahen rezervë në raste krizas ose përdoren për uljen e borxhit, sipas FMN, ndërsa qeveria mendon që me to të rritë investimet.
Parashikimi i FMN-së është që rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit pritet të jetë 2 për qind ndërsa një vit më parë ishte vetëm 0,4 për qind. Të dhënat e deritanishme janë në këtë drejtim, dhe ky vlerësohet prej tyre si fillimi i qëndrueshmërisë ekonomike. Vizita e FMN-së është pjesë e marrëveshjes 3-vjeçare për bashkëpunim me vlerë rreth 331 milionë euro. FMN vjen çdo 3 muaj në Tiranë për të ndjekur nga afër gjendjen ekonomike para se të miratojë këstin e radhës nga fondi i marrëveshjes.