Gati bonusi i fundvitit, 5 mije leke shperblim per mbi 700 mije pensioniste
Në prag të festave të fundvitit, pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim.
Në buxhetin e vitit 2023 janë programuar 3.5 miliardë lekë në total që do të shkojnë për bonusin e moshës së tretë, por përfitues do të jenë edhe individët me pension invaliditeti, persona që trajtohen me pension familjar dhe pension social, minatorë që kanë dalë në pension sipas ligjit 150, naftëtarë, metalurgë, ish-ushtarakët etj.
Kjo do të jetë ndërhyrja e tretë brenda një vitit, pasi qeveria ka shpërndarë edhe një bonus tjetër në muajin Prill të këtij vitit, në vlerën e 5 mijë lekëve, i cili u mundësua nga mbledhja e të ardhurave nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë,
Ndërsa, në muajin Shtator, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, miratoi vendimin për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve, që mbulon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.
Për periudhën gusht 2022- gusht 2023, Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që llogaritet nga INSTAT, rezultoi në masën 8.6%. Nga data 1 tetor 2023, mbi 767 mijë individë të të gjitha kategorive të pensioneve kanë përfituar indeksimin në këtë masë.
Edhe pensioni social, që përfitohet nga personat rezidentë shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura, pësoi rritje duke u llogaritur në 9,327 lekë ose 739 lekë më shumë, ku përfitues ishin 2,499 persona, në shkallë vendi.
Gjatë vitit të kaluar pensionet u indeksuan në nivelin 9.5% si një masë për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve që erdhën si pasojë e luftës në Ukrainë./Burimi: SCAN