Secondary Adv

AKEP propozon ulje te tarifave me shumice te telefonise celulare nga 1 marsi 2024

AKEP ka hedhur për konsultim publik analizën e tregut e telefonisë celulare për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme.

 

Ky është dokumenti më i rëndësishëm periodik i rregullimit të tregut të telefonisë celulare, mbështetur në të cilin përcaktohen operatorët me fuqi të ndjeshme në treg dhe vendosen masat rregullatore.

 

Analiza propozon shpalljen si Operatorë me Fuqi të Ndjeshme (OFNT) në tregun përkatës me shumicë të terminimit të thirrjeve kombëtare për operatorët celularë One Albania dhe Vodafone Albania.

 

Analiza e tregut pritet të sjellë një ulje të mëtejshme të tarifave të terminimit në rrjetet celulare. Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive.

 

Përcaktimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse.

 

Mbështetur në dokumentin final për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare, që u miratua nga AKEP në vitin 2021.

 

Dokumenti në fjalë synon të vendosë tarifa me shumicë (terminimi) të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri.

 

Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë.

 

Deri tani, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike).

 

Megjithëse dokumenti me kostot e matura u miratua qysh në vitin 2021, ulja e tarifave në kosto nuk ishte miratuar ende, në pritje të analizës së re të tregut për të shpallur edhe njëherë OFNT.

 

Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë.

 

Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve. Për t’i çuar tarifat në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.

 

Mbështetur në këtë document dhe në analizën e tregut, AKEP propozon që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë në 1 mars 2024, në 0.89 lekë/minutë në 1 shtator 2024 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 mars 2025.

 

AKEP vëren se, bazuar në praktikat rregullatore në vende të BE-së, orientimi i tarifave në kosto rekomandohet të kryhet nëpërmjet një reduktimi të përshkallëzuar.

 

Në praktikën rregullatore, uljet e përshkallëzuara janë konsideruar të zakonshme në caktimin e tarifave të orientuara drejt kostos, për t’u dhënë kohë operatorëve për të rregulluar gradualisht planet e tyre të biznesit,

 

duke shmangur ndërprerjet e menjëhershme në treg, veçanërisht kur ndryshimi midis tarifave ekzistuese dhe atyre të orientuar drejt kostos është i lartë.

 

Për sa i përket terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, dokumenti i analizës së tregut kufizohet në shtrimin e avantazheve dhe dizavantazheve që do të sillte rregullimi i këtij tregu, por nuk përmban një propozim nëse tregu në fjalë duhet rregulluar ose jo.

 

Vendimi do të merret pas konsultimit publik nga Këshilli Drejtues i AKEP. Tregu i terminimit ndërkombëtar të thirrjeve është hequr nga rregullimi që prej vitit 2011.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/analiza-e-tregut-akep-propozon-ulje-te-tarifave-me-shumice-te-telefonise-celulare-nga-1-marsi-2024/)


Më të lexuarat