50 mln euro kredi per ujesjellesit, investime per furnizimin me uje te pijshem
Qeveria do të marrë 50 mln euro kredi nga kFW gjermane, në funksion të investimeve në sektorin e ujësjellës – kanalizimeve.
Marrëveshja e huasë ka mbërritur në Kuvend për diskutim, ndërsa nëpërmjet saj do të financohen investime që synojnë përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të përdorura urbane në bashkitë që do të përfshihen në program.
Po ashtu, përmes këtyre investimeve synohet përmirësimi i treguesve të performancës së shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve, që do të përzgjidhen për t’u financuar.
Në këtë kuadër, kfW do të vendosë në dispozicion edhe një grant prej 3 mln euro, për forcimin e kapaciteteve të shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve për bashkitë që do të përfshihen në program.
Sipas relacionit që shoqëron marrëveshjen në Kuvend, planifikimi dhe specifikimi i investimeve do të realizohet nëpërmjet përditësimit dhe hartimit të studimeve të fizibilitetit, ku do të përcaktohen nevojat shumëvjeçare për investime, duke financuar më pas investimet më prioritare.
Nevoja për financime në sektorin e ujësjellës – kanalizime është e madhe, duke qenë se niveli i humbjeve në rrjet dhe i ujit pa të ardhura është tejet i lartë.
Po ashtu, aktualisht orët mesatare të furnizmit me ujë regjistrohen në 16 orë/ditë, ndërsa një pjesë e madhe e terriortin nuk ka infrastrukutrën e nevojshme të kanalizimeve.
Ndërkaq, sipas dokumenteve zyrtare arritja e objektivëve për furnizim 24 orë me ujë dhe rrjet kanalizimesh deri në vitin 2030 kërkon një vlerë financimi prej rreth 162 mld lekë, 92% e të cilave janë kosto për investime.
Hendeku financiar për këtë shifër rezulton në 10%, shuma tjetër pritet të sigurohet në një masë të madhe nga rritja e tarifave, që pagujanë abonentët./Scan TV