Secondary Adv

Surprizon OPEC, nuk ul prodhimin, bie me rreth 4 dollare nafta ne bursa

Nafta ra ndjeshëm në sesionin e kaluar, për shkak të vendimeve të OPEC+, ndërsa sot po tregtohet e qëndrueshme.

 

Organizata e Vendeve Prodhuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, përfshirë Rusinë, që ndryshe njihen si OPEC+, ranë dakord që shkurtimet vullnetare të prodhimit të vazhdojnë edhe për tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, një vendim më i butë krahasuar me pritshmëritë e tregut.

 

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 80.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75.7 dollarë për fuçi.

 

Arabia Saudite, Rusia dhe anëtarët e tjerë të OPEC+, të cilët prodhojnë më shumë se 40% të naftës në botë, ranë dakord për shkurtime vullnetare të prodhimit prej rreth 2.2 milionë fuçi në ditë, për tremujorin e parë të vitit 2024.

 

Megjithatë, rreth 1.3 milionë fuçi në ditë nga këto shkurtime, i mungonin tregut edhe gjatë vitit 2023, për shkak të angazhimit vullnetar të Arabisë Saudite dhe Rusisë për të reduktuar kuotat e prodhimit.

 

Më parë, delegatët kishin deklaruar se shkurtimet e reja shtesë mund të ishin deri në 2 milionë fuçi në ditë. Kufizimet totale të prodhimit arrijnë në 2.2 milionë fuçi në ditë nga tetë prodhues, tha OPEC në një deklaratë pas takimit.

 

Në këtë shifër përfshihet edhe zgjatja e shkurtimeve vullnetare saudite dhe ruse prej 1.3 milionë fuçi në ditë.

 

Arabia Saudite, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku, Kuvajti, Kazakistani dhe Algjeria ishin ndër prodhuesit që thanë se shkurtimet do të zbuten gradualisht pas tremujorit të parë, nëse kushtet e tregut e lejojnë.

 

OPEC+ është fokusuar në një prodhim më të ulët, pasi çmimet kanë rënë nga 98 dollarë në fund të shkurtit, në rreth 80 dollarë aktualisht, për shkak të rritjes së dobët ekonomike dhe pritshmërive për një suficit të ofertës./Burimi: SCAN


Më të lexuarat