Oferta monetare e Lekut me rritjen me te dobet qe nga fillimi i vitit 2019
Oferta monetare në Lekë po shënon aktualisht rritjen më të dobët në pothuajse pesë vitet e fundit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit tetor, rritja vjetore e agregatit M2 me bazë vjetore ishte në nivelin 1.87%.
Kjo normë rritjeje është më e ulëta e regjistruar qysh prej muajit shkurt të vitit 2019, ndërkohë që është rritja më e dobët e ofertës së parasë e shënuar në periudhën pas pandemisë.
Agregati monetar M2 paraqet vlerën e depozitave bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë dhe të parasë jashtë bankave, duke përafruar vlerën e ofertës monetare në monedhën vendase.
Rritja e agregatit M2 arriti kulmin në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, me norma rritjeje vjetore afër nivelit të 14%. Pas kësaj periudhe, rritja e këtij agregati u ngadalësua gradualisht dhe në fund të vitit 2021 zbriti në nivelin 6.5%.
Por, gjatë vitit të kaluar rritja e ofertës së parasë u ngadalësua më tej, e ndikuar paralelisht nga nisja e normalizimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga një politikë fiskale mjaft shtrënguese e ndjekur nga qeveria shqiptare.
Në dy vitet e fundit, buxheti ka qenë në suficit në pjesën më të madhe të kohës, me përjashtim të dhjetorit 2022. Këtë vit suficiti buxhetor ka arritur rekorde të reja, duke prekur nivelin e 51 miliardë lekëve në muajin shtator, për tu ulur lehtë në 48 miliardë lekë në fund të tetorit.
Suficiti i lartë buxhetor dhe oferta e shtrënguar e parasë në monedhën vendase po ushtron trysni edhe mbi likuiditetin e sektorit bankar në monedhën vendase.
Statistikat tregojnë se në fund të muajit tetor, huaja nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO) arriti në 62.5 miliardë lekë, vlera më e lartë e raportuar ndonjëherë nga banka qendrore.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e raportuar e financimit të sektorit bankar me REPO është në rritje me pothuajse 41%.
Oferta e dobët monetare e Lekut është një nga faktorët që ka sjellë rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek në nivelet më të ulëta historike gjatë vitit 2023.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 101.92 lekë, në rënie me 0.51 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Ky është niveli më i ulët i kursit Euro-Lek që prej datës 1 gusht.
Në muajin e fundit, kursi Euro-Lek ka rënë me 3.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia ka arritur në 12.8%. Përveçse me ofertën e lartë të Euros, rënia e kursit të këmbimit shpjegohet edhe me mungesën e Lekut në tregun valutor.
Burime nga tregu shprehen se tashmë bankat nuk ofrojnë më kurse preferenciale këmbimi në blerje të Euros as për bizneset e mëdha, me argumentin se kanë Euro me bollëk dhe Lekë me pakicë.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/oferta-monetare-e-lekut-me-rritjen-me-te-dobet-qe-nga-fillimi-i-vitit-2019/