Secondary Adv

Mazhoranca miraton mes kaosit buxhetin e vitit 2024

Mes kaosit, Parlamenti miratoi buxhetin e vitit 2024 me 74 vota pro dhe 4 kundër.

 

Seanca parlamentare e kësaj të enjteje ka zgjatur vetëm pak minuta.

 

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla hodhi votim projektbuxheti dhe paketën fiskale e cila është miratuar me shpejtësi dhe pa diskutime. Ky është ndër rastet e rralla kur buxheti kalon pa diskutime në Parlament.

 

Edhe pse seanca nuk kishte nisur ende, tensione janë regjistruar në brendësi të Kuvendit. 

 

Një forcë e shtuar e gardistëve është vënë re ditën e sotme në Kuvend, të cilët janë bërë “gardh” për deputetët e opozitës, të cilët tentuan të grumbullojnë karriget te Foltorja.

 

Por nuk munguan edhe përplasjet me Gardën. Ka qenë deputeti Ervin Salianji i cili ka hipur sipër tavolinës për të grumbulluar karriget.

 

Ndërkohë në një moment dëgjohet deputeti Bledion Nallbati që i drejtohet gardës: "Na thyet dyert me karrige".

 

Kjo situatë në sallën e Kuvendit po ndodh prej javësh, teksa përfaqësuesit e Partisë Demokratike vendosin karriget mbi njëra-tjetrën pranë foltores, kanë ndezur flakadanë e zjarr brenda sallës.

 

Me nisjen e seancës Deputetët e opozitës ndezën flakadanë si edhe hodhën shashka duke sjell një situatë aspak të zakontë.

 

Ndërkohë në seancën e sotme u votua në një kohë rekord prej 8 minutash nen për nen “Buxheti 2024”, teksa i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

 

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit, përjashtoi Asllan Dogjanin, pasi ishte ndër deputetët që hodhi tymuese në seancë.

 

Kujtojmë se në seancë mungonin ish-kryeministri Sali Berisha i cili u përjashtua me 10 ditë nga punimet e Kuvendit për shkak të bllokimit që i bëri parlamentit në seancën e të hënës.

 

Krahas Berishës janë përjashtuar me 10 ditë dhe deputetët Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi dhe Edi Paloka./Burimi: Ora News


Më të lexuarat