Secondary Adv

SHKK-te po euroizohen, depozitat ne valute arrijne nivelin me te larte historik

Depozitat në valutë të huaj po rriten edhe në shoqëritë e kursim-kreditit.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator, depozitat në valutë të huaj arritën vlerën e 2.25 miliardë lekëve, në rritje me 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Rritja është edhe më e lartë, po të llogarisim efektin e rënies së Euros në kursin e këmbimit. Në fund të shtatorit, kursi i këmbimit Euro-Lek shënonte një vlerë më të ulët me 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Pesha e depozitave në valutë kundrejt totalit të depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit ka arritur në 21.1%, nga 19% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Pesha e depozitave në valutë ka arritur nivelin më të lartë historik.

 

Nga ana tjetër, depozitat në monedhën vendase paraqiten në stanjacion edhe në segmentin e SHKK-ve. Në fund të muajit shtator, ato arritën vlerën e 8.4 miliardë lekëve, në rritje vjetore me vetëm 0.9%.

 

Struktura e depozitave të SHKK-ve ka qenë e dominuar historikisht nga Leku, por në vitet e fundit po shënohet një rritje e vazhdueshme e depozitave në Euro dhe peshës së tyre specifike në strukturën e detyrimeve të sektorit.

 

Këtë vit, depozitat në valutë po rriten me ritme edhe më të shpejta, duke refeltuar një tendencë të përgjithshme të rritjes së euroizimit të detyrimeve në bilancin e korporatave depozituese private.

 

Shoqëritë e kursim-kreditit apo siç njihen kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë shërbime vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët e anëtarësuar mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shërbime të tjera pagesash.

 

Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Kjo vlen sidomos për fermerët dhe individët që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale të vendit.

 

SHKK-të janë të vetmet institucione financiare, përveç bankave, që kanë të drejtë të pranojnë depozita nga publiku i gjerë.

 

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve.

 

Në janar të vitit 2015, kjo skemë u ngrit zyrtarisht me arkëtimin nga Buxheti i Shtetit të fondit themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK në vlerë 76 milionë lekë, që siguroi bazën fillestare financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK.

 

Duke nisur nga viti 2015 e në vazhdim, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ka administruar mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK, të cilat hynë në skemë vetëm në fillim të vitit 2017, për shkak të kohës së nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore për përfshirjen në të.

 

Sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të ASD-së. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Aktualisht, ASD raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/edhe-shkk-te-po-euroizohen-pesha-e-depozitave-ne-valute-arrin-nivelin-me-te-larte-historik/)


Më të lexuarat