Kostot ne ndertim rriten me 4.2 per qind, energjia dhe materialet me te shtrenjtat
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim vijon rritjen edhe gjatë muajve Korrik-Shtator, por këtë tremujor duket se rritja është ngadalësuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit aktual, vlera e këtij treguesi arriti në 114 kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2020, si periudha bazë.
Ndërkohë, në terma vjetorë konstatohet një rritje me 4,2%.
Rikujtojmë se një vit më parë ky ndryshim ishte 7.2%.
‘Scan Intel’ ka përpunuar të dhënat për të identifikuar ndryshimet vjetore të grupeve kryesore që kanë kontribuar në rritjen e vlerës së këtij treguesi përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 6.6%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 4.8%, Shpenzime makinerie” me 2%,
“Shpenzime transporti” me 4.2%, “Shpenzime materiale” dhe “Kosto të tjera” ku këto të fundit janë rritur përkatësisht me 4.1% secila.
Duhet të theksojmë se, brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale hidrosanitare dhe ventilimi” shënuan rritjen më të lartë me 4.4% secila.
Analiza ka vijuar edhe me ndryshimet tremujore ku shifrat tregojnë se Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.
Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 2.9%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 1.2%, “Shpenzime transporti” me 1.0%, “Shpenzime materiale” me 0.9%, “Shpenzime makinerie” me 0.5% dhe “Kosto të tjera” me 0.2%.
Pra, analiza tregon qartë se ky Indeks ka qenë në rritje pavarësisht se rritja është ngadalësar që nga tremujori i tretë i vitit 2023.
Kjo rritje arsyetohet të ketë ardhur si pasojë e rritjeve të konsiderueshme të kostove të ndërtimit, gjë që është reflektuar edhe në rritjen e çmimit të shitjes së pasurive të paluajtshme në vendin tonë./Burimi: Scan Intel