Secondary Adv

Legalizimet, shtepite qe rrezikohen nga planet urbanistike

Kreu i ALUIZNI-t shpjegon procesin e urbanizimit të zonave informale. S’jepet tapi për 60 zona të reja informale ku ka plane për zhvillim. Procesi do të shtrihet në tri faza, faza e parë do të jetë ajo e skicimit në letër, më pas zbritja në terren dhe verifikimi nga afër i situatës duke u përmbyllur ky cikël në fazën përfundimtare, atë të zbatimit.
Pajisja me leje legalizimi e familjeve që kanë ndërtuar në zonat informale, do të paraprihet nga urbanizimi fillestar i këtyre zonave. Kjo do të thotë se aty ku qeveria do të planifikojë ndërtimin e një rruge apo një vepre tjetër publike, qytetari nuk do të marrë më sipërfaqen që i takon (referuar ligjit të ri, i cili përcakton që kalimi i pronësisë të bëhet për trefishin e bazës së ndërtesës dhe për shtëpitë me funksion banimi jo më shumë se 500m2), por nga ajo sipërfaqe do t’i zbritet hapësira që nevojitet për efekt të planifikimit urban.

 


Kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame, sqaron për gazetën Panorama mënyrën se si do të procedohet për të arritur tek urbanizimi. Legalizimet, ky një proces që do të shtrihet në tri faza, faza e parë do të jetë ajo e skicimit në letër, më pas zbritja në terren dhe verifikimi nga afër i situatës duke u përmbyllur ky cikël në fazën përfundimtare, atë të zbatimit. Lame e thjeshton edhe më tej, duke thënë se, nëse një familje përfiton me ligjin e ri 400 m2 tokë, d.m.th. trefishin e sipërfaqes së njollës së objektit që ka ndërtuar, nëse aty përcaktohet kalimi i një rruge apo ndërtimi i një vepre tjetër publike, atëherë familja nuk do të marrë 400m2, por më pak, duke hequr në këtë mënyrë sipërfaqen që nevojitet për procesin urbanizues. Kreu i ALUIZNI- t shton se kjo praktikë që do të aplikohet, shmang shpronësimet e mëvonshme që mund të lindin nga nevoja e planifikimit urban. “Urbanizimi në letër shmang situatën absurde për të trokitur te qytetari pasi të ketë marrë lejen dhe për t’i thënë se në oborrin e tij do të kalojë një vepër infrastrukturore”, tha Lame.

 

Per urbanizimin

 

“Urbanizimi i zonave do të kalojë nëpërmjet tri fazave. Urbanizim në letër, pra para se të fillojmë legalizimin në atë zonë, të bëjmë një lloj planifikimi urban për zonën informale dhe mbi atë bazë të bëjmë legalizimin dhe, pasi të mbyllim këtë proces, do të fillojë faza e tretë, që është urbanizimi në terren. Pra, ne sot po përcaktojmë shtegun se ku do të kalojë rruga, duke e lënë të lirë, dhe në fazën e urbanizimit në terren ai shteg i lënë të kthehet në rrugë, kanalizim e kështu me radhë.
Në këtë koncept ka folur edhe ministrja Gjermeni në logjikën për të bërë disa projekte pilot të urbanizimit në terren të prekshme për qytetarët, pra në zona ku kane mbaruar legalizimet. Të fillojmë të ndërtojmë në to rrjetin rrugor, për të parë se ku duam të arrijmë. Me urbanizimin paraprak, nënkuptoja këtë, se nëse ti mund të kesh ndërtuar 400 m2 je edhe në rregull me ligjin, i cili përcakton që të bëhet kalimi i pronësisë për trefishin e bazës së objektit. Dhe, nëse ne aty planifikojmë të kalojë një rrugë e cila nuk ta lë oborrin kaq të madh por ta ngushton disi, atëherë nuk ta legalizojmë atë copë të oborrit, por ta heqim që tani. Pra, ta krijojmë konturin urban që tani”, tha Lame.

 

Per nisjen e urbanizimit

 

“Po ka nisur dhe për këtë arsye kemi këtu një sektor të ngritur rishtazi. Është sektori i planifikimit urban, i cili mbledh gjithë informacionin e mundshëm nga terreni, projekte, planifikime, kufizime e kështu me radhë dhe i vendos njëra mbi tjetrën, duke parë se ku mund të legalizohet dhe ku duhet të jemi më të kujdesshëm. Dhe, së dyti, kur drejtoritë rajonale janë të gatshme për të bërë legalizimet, ajo shikon edhe një përputhje të fundit konceptuale përpara emetimit të lejes. Urbanizimi në letër, theksoj edhe një herë, shmang situatën absurde për të trokitur te qytetari pasi të ketë marrë lejen dhe për t’i thënë se në oborrin e tij do të kalojë një vepër infrastrukturore etj.”, shprehet Lame.

 

Zonat Informale

 

“Janë 127 zona informale, por janë edhe rreth 60 zona të reja duke u konceptuar, të cilat do të kalojnë në Këshillin Kombëtar të Territorit për miratim. Janë të përqendruara përgjithësisht në zonat e qyteteve, në Ultësirën Perëndimore. Ndërkohë po rishikohen zonat e vjetra, thjesht edhe duke i rishikuar kufijtë apo duke i ndarë zonat ekzistuese dhe duke shpallur të reja, me logjikën që në momentin që e shpallim si zonë informale, ajo të fillojë të marrë formatin urban. Dhe t’i japim nëpërmjet urbanizimit fillestar, që do të realizohet në letër, konceptin fillestar se si do të zhvillohet në të ardhmen”, bën të ditur kreu i përgjithshëm i ALUIZNI-t. “Procedurat nga fillimi për 45 mijë dosje” Krahas familjeve të cilat kanë bërë vetëdeklarimin dhe asnjë procedurë tjetër, në Agjencinë e Legalizimeve ka edhe dosje me faturë të paguar në pritje të pajisjes me certifikatën e pronësisë.

 


Por, sipas kreut të Agjencisë së Legalizimeve, pavarësisht pretendimeve të opozitës së këto dosje ishin në fazën përfundimtare, është vënë re se në këtë total dokumentacionesh ka pasur mangësi dhe problematika, të cilat e bëjnë të nevojshëm rishikimin e tyre dhe nisjen e procedurave nga fillimi. Kjo e bën situatën të trishtë për qytetarin, veçon Lame, pasi në kushtet kur mendon se ka vetëm për të tërhequr lejen, i duhet të përballet sërish me procesin. “Quhen dosje, sepse kanë një emër, sepse në momentin që e kemi hapur, nuk kemi gjetur asgjë. Ose kanë vetëm vetëdeklarimin e qytetarit dhe faturat që ai ka paguar dhe është akoma më e rëndë kjo. Pasi na kanë ardhur qytetarë, të cilët na kanë thënë që e kanë bërë pagesën dhe mendojnë se janë gati për lejen, por fakti që dosja e tyre është bosh, kjo e bën situatën edhe më të bezdisur për qytetarin. E bën të vështirë gjithashtu edhe për ne, duke qenë se janë para të mbledhura dhe të shpenzuara e tani procedurat duhen bërë nga fillimi. Dhe, sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, duhet të durojmë edhe broçkullat e opozitës, që thotë se na kanë lënë 60 mijë dosje të gatshme”, shprehet Lame./Gazeta Panorama


Më të lexuarat