Secondary Adv

Samiti ne Azerbajxhan, Rama: Gati studimi i gazifikimit te zones se Korces

Tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri.

 

Studimi i gazifikimit të zonës së Korçës tashmë është gati, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri, deklaroi kryeministri Edi Rama në samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, i cili po mbahet në Baku, Azerbajxhan.

 

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës dhe se ka nisur investimi për vënien në punë e zgjerimin e kapaciteteve të këtij të fundit.

 

“Korridori Jugor është shndërruar në një urë bashkëpunimi intensiv, duke sjellë më pranë vendet, kompanitë, institucionet ndërkombëtare financiare në një format, i cili vetëm sa shton dëshirën dhe mundësitë që ofron.

 

Sot, ky format është shndërruar në një urë. Një urë ku pjesë e re përbërëse është bërë edhe dimensioni i energjisë së gjelbër.

 

Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40 % aktualisht në 8 % dhe së shpejti në 0 % dhe në agjendën e gjelbër dhe në përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni Kaspik janë thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët.

 

Për aq sa i takon vendit tim Shqipërisë, ne jemi të pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik, që është një lidhje jetike në Korridor Jugor të gazit.

 

Sigurisht, ne synojmë të kapitalizojmë më tej mbi këtë korridor transformues, duke orientuar investimet drejt projekteve të energjisë së ripërtërishme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme.

 

Për ne, investimet në energjinë e qëndrueshme dhe të ripërtërishme janë pa asnjë dyshim thelbësore. Vitet e fundit ato e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të natyrshëm të tranzicionit të gjelbër e të inovacionit në sektorin energjetik.

 

Aktualisht në Shqipëri po kërkojmë të ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe falë mbështetjes së presidentit Aliev këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në traditën tonë historike që na ishte privuar.

 

Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP në bashkëveprim me partnerët tanë synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë”.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/samiti-i-korridorit-jugor-te-gazit-rama-gati-studimi-i-gazifikimit-te-zones-se-korces/


Më të lexuarat