Secondary Adv

Hapet baza ajrore e NATO-s ne Kucove, Rama: Element sigurie per Ballkanin

Shqipëria rihap sot bazën ajrore të Kuçovës.

 

Report Tv ndjek live ceremoninë e përurimit ku marrin pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti Begaj, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e diplomatë dhe përfaqësues të aleancës së NATO-s. Baza 'një aset për rajonin' është një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri.

 

"Helikopterët Black Hawk e dronët Bajraktarë janë në gadishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë që do të shërbejë si bazë ajrore taktike të NATO-s” tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

 

"Konsiderojeni këtë bazë si pikë strategjike në mbrojtje të paqes dhe operacioneve të NATO-s’ vijoi më tej ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi,

 

duke shprehur gadishmërinë e Shqipërisë për të vendosur në dispozicion të NATO-s dhe porto Romanon "që së bashku me korridorin 8 i siguron aleancës sonë aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Adriatikut në Detin e Zi. Shpresojmë të kemi mbështetjen e aleatëve në këtë project madhor" tha Peleshi.

 

I deleguari i SHBA-se, David Wisner e konsideroi "gur kilometrik për sigurinë e rajonit". Kryeministri Edi Rama e quajti një tjetër element sigurie në Ballkanin Perëndimor që ‘kërcënohet jo pak nga Rusia”.

 

“Kjo bazë e re taktike ajrore NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza ajrore detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n e jemi shumë besimplotë se shpejt do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e aleancës”.

 

Pak ditë më parë u montuan edhe 3 dronët e armatosur ‘Bayraktar’, të blerë në Turqi. Rindërtimi për bazën ajrore të Ku֛çovës nisi në janar të vitit 2022.   

 

Ish baza e epokës komuniste e ndërtuar me punë vullnetare në vitet 1950, shtatë dekada më pas do i shërbejë operacioneve të Aleancës Atlantike.

 

Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s. 

 

Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat