Secondary Adv

INSTAT: Kostot e ndertimit ne 2023 u rriten me 4 per qind, ndikoi energjia dhe pagat

Tregu i pasurive të paluajtshme mund të përfshihet nga një valë tjetër shtrenjtimi, nëse i referohemi raportit të INSTAT.

 

Sipas raportit, kostot e ndërtimit janë rritur edhe në tremujorin e fundit të vitit 2023. 

 

“Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt 2023 arriti 114,8 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë.

 

Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e katërt 2023 është 4,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 7,0 %”, thuhet në raport.  

 

Shkaqet kryesore për këtë shtrenjtim referuar INSTAT, janë rritja e shpenzimeve për energjinë me 9% në raport me tremujorin e katërt të viti 2022 si dhe rritja e shpenzimeve për paga me 4.5%.

 

“Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 9,0 %,

 

pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 4,5 %, “Shpenzime transporti” dhe “Kosto të tjera” përkatësisht me 3,9 % secili, “Shpenzime materiale” me 3,3 % dhe “Shpenzime makinerie” me 1,5 %.

 

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënoi rritjen më të lartë prej 4,4 %, pasuar nga grupet “Materiale ndërtimi” me 3,4 % dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 2,1 %”, vijon më tej raporti i INSTAT.

 

Ndërtimi ishte i vetmi sektor që edhe në muajin e parë të këtij viti kishte pritshmëri pozitive sa i takon aktivitetit dhe çmimeve referuar raportit të Bankës së Shqipërisë për besimin në ekonomi. 

 

Ndërkohë vjet janë dhënë nga bashkitë 1602 leje ndërtimi, nga 1420 leje që u dhënë në vitin 2022, duke u rritur me 12%. Përpos rritjes së numrit të ndërtimeve, shtrenjtimi i banesave nuk po ndalon. /Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat