Secondary Adv

Bizneset rrisin borxhet ndaj tatimeve me 80.8 mln euro, kryeson TVSH

Bizneset janë “zhytur” në borxhe ndaj administratës tatimore përgjatë vitit 2023.

 

Duke krijuar një shifër detyrimesh të reja e cila regjistrohet në 8.4 miliardë lekë apo  80.8 milionë euro.

 

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të siguruara nga SCAN TV mbi ecurinë dhe gjendjen e detyrimeve tatimore të papaguara në afat tregtojnë se në janar të 2023, stoku i detyrimeve regjistrohej në 146.8 miliard lekë ndërsa në 31 dhjetor 2023, kjo shifër është rritur në 155.2 miliardë lekë.

 

Sipas tatimeve, në detyrimet prej 155.2 miliardë lekë të cilat ndiqen deri më 31 Dhjetor 2023, është e përfshirë edhe vlera prej 13.95 miliardë lekë, e cila është në proces gjyqësor, ku deri në fund të Dhjetor 2023 zë 9% të stokut të detyrimeve te papaguara.

 

Gjatë periudhës së marrë në analizë, stoku i detyrimeve tatimore është rritur me 6%. Nga të dhënat e mësipërme rezulton se principali i detyrimeve tatimore të akumuluara përben rreth 61% të shumës totale të detyrimeve tatimore, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre detyrimeve 39% e mbetur përbëhet nga penalitetet dhe kamatëvonesa.

 

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 36% në vlerë 55.3 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% në vlerë 44.8 miliardë lekë,

 

zëri Të Tjera me 15% në vlerë 23.9 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 15% në vlerë 22.5 miliardë lekë, Tatimi në Burim me 4% në vlerë 5.9 miliardë lekë, TAP me 1% në vlerë 2,3 miliardë lekë dhe DIVA me 0.3% në vlerë 462 miliardë lekë.

 

Rritja më të madhe të detyrimeve përgjatë këtij viti ka ardhur nga TVSH-ja, tatim fitimi dhe sigurimet shoqërore. Sa i takon moshës së borxhit, rezulton që të jetë me vjetërsi mbi 2 vjet në vlerë 127,7 miliardë lekë është 82% ndaj totalit të stokut./Burimi: SCAN TV


Më të lexuarat