Secondary Adv

Rritet besimi ne ekonomi per here te pare ne 2024, ndertimi me renie

Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një kthesë rritëse me 2.5 pikë në muajin mars.

 

Kjo, pasi regjistroi rënie gjatë dy muajve të mëparshëm, ndërsa qëndron 7 pikë përqindje mbi mesataren historike.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ecuria këtë muaj u ndikua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, tregtisë, shërbimeve, si dhe rritja e besimit konsumator.

 

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e ndërtimit ra në muajin mars, pasi kishte regjistruar rritje dy muajt e mëparshëm.

 

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 0.9 pikë përqindje në mars, pasi u rrit me 6.5 pikë përqindje një muaj më parë. Kjo ecuri u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues.

 

Nga ana tjetër, porositë aktuale u vlerësuan me rritje këtë muaj, ndërsa pritjet për punësimin dhe çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rënie

 

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.6 pikë përqindje, ndikuar nga vlerësimet e rritura të bizneseve për prodhimin industrial aktual, si dhe pritje më optimiste për porositë nga eksportet në të ardhmen.

 

Gjithashtu, pritjet e bizneseve për prodhimin industrial në të ardhmen regjistruan rritje.

 

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 6.4 pikë përqindje, ku kontribuan vlerësimet më optimiste të bizneseve, si për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, ashtu dhe për nivelin aktual të kërkesës.

 

Gjithashtu, pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen  janë rishikuar për lart këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

 

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 2.7 pikë përqindje, për shkak të vlerësimit më optimist të sipërmarrjeve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre.

 

Pritjet për punësimin në të ardhmen shënuan rënie edhe këtë muaj, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rënie.

 

Nga ana tjetër, treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje me 1.4 pikë përqindje, duke u ngritur përsëri mbi nivelin e mesatares historike.

 

Konsumatorët vlerësuan në përmirësim situatën e tyre financiare, situatën ekonomike të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha.

 

Pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen janë ulur./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat