Secondary Adv

Banka Boterore: Ekonomia e Shqiperise pritet te rritet me 3.3 per qind

Për të garantuar rritje ekonomike edhe në vitet e ardhshme, Shqipëria duhet të shkëputet nga varësia ndaj ndërtimit dhe turizmit.

 

Banka Botërore vlerëson se ekonomia e vendit duhet të orientohet tek fushat më inovative, ndërsa sugjeron që rritja e pagave të bëhet në bazë të performancës në punë.

 

Sektorët dhe burimet që rrisin ekonominë e Shqipërisë duhet të orientohen në fusha të tjera përtej ndërtimit dhe turizmit thotë Banka Botërore, e cila parashikon që këtë rrit rritja ekonomike të jetë 3.3%.

 

Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë Emanuel Salinas, thekson se kalimi nga niveli mesatar në nivel të lartë kërkon më shumë investim në kapital të kualifikuar e produktivitet.

 

“Sektori privat në Shqipëria ka një nivel të ulët inovacioni, dhe produktiviteti mbështetet në modele të dala kohe. Kapitali njerëzor është i nënpërdoruar dhe jo i fuqizuar për të ardhur në ndihmë këtij zhvillimi.

 

Është kohë kritike për të vlerësuar burimet e rritjes ekonomike, por shumë prej rritjes ka të bëjë me ndërtimin, konsumin, turizmin, por kjo jo domosdoshmërish sjell vende më të mira pune”, u shpreh Salinas.

 

Përpos pritshmërive për rritjen ekonomike, rënien e inflacionit në 3% dhe uljes së mëtejshme të varfërisë, përkeqësimi i tensioneve gjeopolitike mund të përmbysë pritshmëritë optimiste.

 

“Ndër rreziqet e jashtme është eskalimi i mëtejshëm i tensioneve gjeopolitike, ngadalësimi i rritjes globale, rritja e mëtejshme e kostove të financimit apo pengesat në tregtinë rajonale”, tha menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

 

Edhe pse Shqipëria vlerësohet si vendi me rritjen më të shpejtë të punësimit dhe pagave në Ballkan, Banka Botërore gjykon se produktiviteti është i ulët.

 

“Gjatë vitit 2015-2023, rritja e pagës reale ka qenë pozitive për shumë vende, por rritja e produktivitetit nuk i është përgjigjur pagës reale.

 

Në drejtim të nxitjes së produktivitetit, rritja e pagave të kishte dhe elemente të performancës, të ishte më shumë e bazuar në produktivitet, por kjo është një sfidë që po përballemi”, tha Hilda Shijaku, ekonomiste në Bankën Botërore.

 

Teksa prezantoi raportin e Rregullt Ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore foli edhe për rekomandimet që ka bërë për skemën e re të pensioneve, të bazuar tek qëndrueshmëria e saj dhe mundësia për të rritur përfitimet e pensionistëve./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat