Secondary Adv

Paketa e re fiskale: Lehtesi per te rinjte dhe familjet qe kane femije te mitur

Përveç rritjes së pagave për mësuesit dhe bluzat e bardha, së shpejti do të prezantohet një paketë me lehtësi fiskale për të rinjtë dhe për familjet që kanë fëmijë të mitur.

 

Ministri i Financave Ervin Mete, njoftoi se barra tatimore për pagat e të rinjtve deri në 29 vjeç, si dhe do të reduktohen tatimet për kujdestarët e fëmijëve nën 18-vjeç.

 

Rreth 110 milionë euro po i kushton buxhetit të shtetit rritja e pagave për sektorin e arsimit. Ministri i Financave Ervin Mete shprehet se arsimi është fusha që do të përfitojë më shumë, me synim zhvillimin e kapitalit njerëzor.

 

“Me rritjen e pagave që do bëhet në qershor, sektori i arsimit merr mbështetjen më të madhe nga të gjithë sektorët e tjerë, me afro 110 mln euro që shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor. Rritja kumulative vetëm në 2 vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit.”, tha Mete.

 

Brenda këtij viti paga në sektorin publik pritet të arrijë në 900 euro, dhe përveç arsimit do të ketë rritje rroge edhe për bluzat e bardha.

 

Në një aktivitet me fokus ‘Edukimin Financiar e mbrojtjen e parave’, të organizuar nga ministrja për Rininë Bora Muzhaqi, nuk munguan as kritikat nga studentët për mundësitë që ju ofrohen për tu punësuar.

 

“Ju folët për investim, depozitim e kursim. Po fitimi? Në Këndvështrimin tim rinia nuk ka aspak mbështetje për punë. Rrogat nuk janë mbështetëse, qiratë janë në stratosferë”, u shpreh një studente.

 

Por ministri Mete njoftoi se së shpejti do të prezantohet paketa fiskale me lehtësi për tatimin mbi pagën e të rinjve, dhe PRINDËRIT ME fëmijë nën 18 vjeç.

 

“Së dyti, një nga ato që po diskutojmë dhe tani jemi në një moment të mirë ekonomik, që ta përkthejmë edhe në rishpërndarje dhe mirëqenie të shtuar për qytetarët,

 

është që të kemi dy lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët, që do të thotë, nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor, vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre,

 

ashtu siç do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1,

 

apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim”, tha Mete.

 

Ndërkohë aktualisht Ministria Po diskuton edhe për rritjen e pragut të pagave që paguajnë 23% tatim, nga mbi 200 mijë lekë që është aktualisht për ta çuar në 250 mijë lekë.

 

I pranishëm në takim me të rinjtë, guvernatori Gent Sejko, e vuri theksin tek informimi i saktë i të rinjve dhe jo vetëm që të mos bien pre e mashtrimeve online.

 

Për të rritur edukimin financiar Banka e Shqipërisë ka miratuar strategjinë 2024-2026, ku synohet që edukimi të nisë që në 9-vjeçare me orë mësimore për kursimin, të vijohet me një tekst të ri për gjimnazet mbi financat personale dhe me leksione në universitete për bankat, financat dhe ekonominë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat