Secondary Adv

Sulmi ndaj Izraelit, SHBA dhe BE gati sanksionet e reja ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mundësinë për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit.

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Al Thani, për sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

 

Dy liderët, informon Departamenti i Shtetit i SHBA, nënvizuan "rëndësinë e një reagimi të koordinuar diplomatik dhe nevojën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm".

 

“Pas sulmit të paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit, Presidenti Biden u koordinua me aleatët dhe partnerët e G7 për të vendosur sanksione të reja”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

 

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se ajo priste të ndërmerrte veprime "në ditët në vijim", ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se blloku po punonte për këtë. Izraeli u ka kërkuar aleatëve të tij që të sanksionojnë programin raketor të Teheranit.

 

Sanksionet e SHBA dhe BE do të prekin veçanërisht programin e raketave dhe dronëve, entitetet që mbështesin Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe Ministrinë iraniane të Mbrojtjes.

 

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të vazhdojnë të punojnë në të gjithë Departamentin e Mbrojtjes dhe Komandën Qendrore për të forcuar dhe zgjeruar më tej mbrojtjen ajrore dhe raketore në të gjithë Lindjen e Mesme"

 

dhe nuk do të "ngurrojnë të ndërmarrin veprime, në koordinim me aleatët dhe partnerët në të gjithë botën për të kërkuar llogari nga qeveria iraniane për veprimet e saj të dëmshme dhe destabilizuese”, tha Sullivan.

 

Kabineti izraelit i luftës pritet të mblidhet sërish sot për të diskutuar nëse do ketë një kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat