Projekti Unaza e Jugut, 40 milione euro investim per energjine
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri inspektoi punimet e projektit të rrjetit 110 kV të jugut të Shqipërisë, i shoqëruar edhe nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe ai i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ky investim përmirëson cilësinë e furnizimit me energji elektrike në të gjithë zonën jugore, krijon infrastrukturën elektrike të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në zonën e bregut të detit Jon. Gjithashtu, ndikon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit, përmirëson nivelin e tensionit dhe balancimin e rrjetit të transmetimit.
Gjiknuri inspekton punimet. “Projekti Unaza e Jugut ul humbjet”
Investimi i 40 milionë eurove që po bëhet në linjën e Jugut 110 kv, do të ulë humbjet në rrjet dhe do të sigurojë energji elektrike me cilësi për këtë rajon. “Kjo është një nga veprat e rëndësishme të sektorit elektroenergjetik. Ka të bëjë direkt me rrjetin e transmetimit”, deklaroi ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili ishte dje për të inspektuar punimet e projektit. Në këtë vizitë, ministri Gjiknuri shoqërohej nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Ëngjëll Zeqo, dhe administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Arben Seferi. “Kjo është vetëm një pjesë e punës. Do të kemi mundësi të shpalosim edhe investime të tjera shumë serioze, të cilat do të ndikojnë në furnizim më të qëndrueshëm me energji, do të ndikojnë në uljen e humbjeve dhe mbi të gjitha, këto dy elemente do të sjellin edhe një qëndrueshmëri nga pikëpamja e çmimeve dhe e furnizimit. Do të thotë një sigurim i qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe përdorim më i mirë nga konsumatorët”, shpjegoi ministri Gjiknuri.
Duke folur për investimet, ministri u shpreh se “prioriteti i kësaj qeverie do të vazhdojë të jetë energjia, për arsye se ajo nga një kërcënim që ka qenë për buxhetin e shtetit, një sektor që u gjet në një periudhë shumë të vështirë, në krye të disa viteve do të gjenerojë vetë të ardhura, do të ecë me këmbët e veta dhe do të jetë një burim i mirë për investimet e huaja”. Ky investim përmirëson cilësinë e furnizimit me energji elektrike në të gjithë zonën jugore, krijon infrastrukturën elektrike të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në zonën e bregut të detit Jon. Gjithashtu, ndikon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit, përmirëson nivelin e tensionit dhe balancimin e rrjetit të transmetimit. Ndërsa administratori i OST-së, Ëngjëll Zeqo, informoi se “seksioni i ri është pjesa Ersekë-Përmet dhe pjesa nga Babica në Bistricë.
Projekti Unaza e Jugut është një investim që kryhet me financim të KfW, pjesa e linjës kap vlerën prej 35 milionë eurosh, plus 5 milionë euro që është rehabilitimi i nënstacionit të Zemblakut, ku kemi vendosjen e një autotransformatori të ri 150 MVA”. Ky investim realizon mbylljen e unazës që ka munguar qysh prej ndërtimit të këtyre linjave. Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë-Sarandë mbyll në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV, duke plotësuar kriterin e rezervimit të furnizimit me energji elektrike në rast defekti në linjat e transmetimit të një zone të gjerë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës dhe Tepelenës.
Projekti Unaza e Jugut, financimi me kredi nga qeveria gjermane
Projekti Unaza e Jugut financohet nga një kredi e qeverisë gjermane nëpërmjet bankës KfW dhe është i ndarë në dy lote. LOT 1 përfshin fuqizimin e nënstacionit 400/110 kV Zemblak, me vlerë investimi rreth 5 milionë euro që po implementohet nga kompania “Koncar”. Ndërkaq, LOT 2 përfshin ndërtimin e linjave 110 kV Ersekë-Përmet 55.7 km; Babicë-Sarandë 105 km, qarku i dytë 110 kV Zemblak-Korçë 13 km, si dhe rehabilitimi i linjave Korçë-Ersekë 36 km, Memaliaj-Këlcyrë-Përmet 43 km dhe punime në nënstacionet respektive. LOT i dytë i projektit, sipas kontratës, është parashikuar të përfundojë shtatorin e vitit të ardhshëm.