Secondary Adv

Inflacioni i importuar pesoi renie te metejshme ne tremujorin e pare te vitit

Presionet e huaja inflacioniste në ekonominë shqiptare pësuan rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2024.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) u zgjerua me 2.8% gjatë këtij tremujori, nga 3.4% një tremujor më parë.

 

TPHI llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për periudhën përkatëse.

 

Nga analizat korrelative të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme nga Banka e Shqipërisë, TPHI është një tregues paraprijës për zhvillimet e ardhshme afatshkurtra në komponentin e inflacionit të importuar (me 1-2 tremujorë).

 

Ngadalësimi i TPHI erdhi i ndikuar kryesisht nga ngadalësimi i rritjes së çmimeve të huaja me 18.9% nga 19.6% në tremujorin e fundit të vitit 2023.

 

Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i kursit nominal efektiv të këmbimit vazhdon të amortizojë përcjelljen e efekteve të çmimeve të huaja në inflacion. Për tremujorin e parë të këtij viti, mbiçmimi nominal efektiv ishte 16.1% thuajse i njëjtë me tremujorin e mëparshëm.

 

Ecuria rënëse e TPHI-së është pasqyruar në pakësimin e ndjeshëm të kontributit të inflacionit të importuar në formimin e inflacionit total përgjatë tremujorit të parë të vitit 2024.

 

Kontributi në formimin e inflacionit total rezultoi mesatarisht 0.4 pikë përqindje kundrejt 1.1 pikë përqindjeje në tremujorin e mëparshëm.

 

Dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste vlerësohet si faktori kryesor që ka sjellë rënien e ndjeshme të inflacionit në pjesën e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, në muajin prill inflacioni zbriti në 2.1%, niveli më i ulët në afërsisht tre vitet e fundit.

 

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës këtë muaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nënvizoi se rënia e shpejtë e inflacionit në tremujorin e parë duket se pasqyron një goditje tjetër të ofertës së huaj, këtë herë me ndikim rënës në çmimet e ushqimeve.

 

“Rritja e ofertës së artikujve ushqimorë ka sjellë një rënie të shpejtë të inflacionit të tyre në të gjithë vendet e rajonit.

 

Megjithatë, efekti i kësaj goditjeje në Shqipëri ishte më i ndjeshëm, si pasojë e peshës së lartë që artikujt ushqimorë kanë në shportën e konsumit.

 

Analizat tona sugjerojnë se çmimet e ushqimeve në vend do të vijojnë të jenë subjekt i kësaj goditjeje edhe për disa muaj, por efekti i saj pritet të mbetet gjithsesi kalimtar,” u shpreh Guvernatori.

 

Nga ana tjetër, sipas tij, presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, mbeten relativisht të larta.

 

“Këto presione ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, kërkesë e cila pasqyrohet në rritje të shpejtë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit të sektorit privat,” tha Sejko.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/inflacioni-i-importuar-pesoi-renie-te-metejshme-ne-tremujorin-e-pare-te-vitit/)


Më të lexuarat