Secondary Adv

Numri i degeve te bankave iu kthye rritjes ne tremujorin e pare

Numri i degëve të sektorit bankar iu kthye rritjes në tremujorin e parë të këtij viti.

 

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të muajit mars bankat raportuan 389 degë, nga 385 që kishte qenë numri i tyre në fund të vitit të kaluar.

 

Duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, disa prej bankave nisën zgjerimin e rrjetit të degëve. Fillimisht ishte Banka e Bashkuar e Shqipërisë që nisi hapjen e degëve të reja, në vijim të ndryshimit të strukturës së saj aksionere dhe marrjes së pronësisë nga kompania e sigurimeve Eurosig.

 

Ndërkohë, në tremujorin e parë të këtij viti rritja e numrit të degëve i detyrohet kryesisht zgjerimit të rrjetit të Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank).

 

Performanca e mirë financiare e sektorit bankar në vitet e fundit ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e rrjetit të degëve, si pjesë e strategjisë së tyre të ekspansionit.

 

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 27.9 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë. Fitimi i sistemit është rritur me 17% krahasuar me vitin 2022.

 

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet.

 

Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

 

Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ka rënë nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

 

Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm është dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare. Sot pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit.

 

Shqipëria ngelet një ndër vendet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë. Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, për vitin 2021, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë.

 

Shqipërisë ishte është vendi i dytë me depërtimin më të ulët të njësive bankare në popullatë, pas Kosovës, që e kishte këtë tregues në nivelin 11.6 degë për 100 mijë banorë.

 

Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Bosnje-Hercegovina me 29.8 degë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 26.4 degë për 100 mijë banorë, Mali i Zi, me 25.8 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 22.4 degë për 100 mijë banorë.

 

Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh në raport me popullsinë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2021 ishte në nivelin 21.1 degë për 100 mijë banorë.

 

Në rastin e BE-së, depërtimi i degëve bankare në dekadën e fundit ka pësuar një rënie të ndjeshme. Në vitin 2010, ky tregues kishte qenë në nivelin 35.4. Kjo lidhet pjesërisht me krizën financiare, por arsyeja kryesore është tendenca në rritje e dixhitalizimit të shërbimeve, që e ka ulur gradualisht nevojën për njësi bankare fizike.

 

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zëvendësimi i shërbimeve bankare në rrjet me ato dixhitale është më i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit.

 

Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi. 

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/numri-i-degeve-te-bankave-iu-kthye-rritjes-ne-tremujorin-i/)


Më të lexuarat