Secondary Adv

Miratohet kuadri fiskal, rritet tavani per te ardhurat dhe shpenzimet

Qeveria ka rishikuar me rritje të ardhurat dhe shpenzimet për vitin 2024, si pasojë e performancës pozitive të ekonomisë përgjatë këtyre muajve.

 

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e ditës së djeshme Kuadrin e rishikuar Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2025-2027, përgatitur nga Ministria e Financave.

 

Sipas dokumentit projeksionet janë që në 2024 të ardhurat totale të shënojnë një rritje të konsiderueshme duke arritur për herë të pare në 28.8% të PBB, ose 1% më shumë krahasuar me vitin 2023, i mbyllur në nivelin 27.8% të PBB, ndërsa projektohet që ato të arrijnë në 29.1% të PBB-së në vitin 2027.

 

Ministria e Financave nënvizon se konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektiv i politikës fiskale për periudhën afatmesme 2025-2027, në funksion të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Sipas projeksioneve, borxhi publik parashikohet të zbresë në 55.2% në vitin 2027.

 

Balanca primare, si një parametër i rëndësishëm i qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, e rikthyer në pozitive që në vitin 2023, do të vijojë të jetë e tillë, në përputhje edhe me rregullat fiskalë të Ligjit Organik të Buxhetit.

 

Nga ana tjetër kuadri i rishikuar synon të ruajë një raport të shëndetshëm të shpenzimeve buxhetore, ku në veçanti investimet publike parashikohet të jenë mesatarisht 5.2% e PBB-së në çdo vit buxhetor.

 

Gjithashtu, parashikohet që shpenzimet e programuara për buxhetin e vitit 2025 të jenë afro 796 miliardë lekë, ose 31.1% e PBB-së./Burimi: Scan


Më të lexuarat