Secondary Adv

Haxhinasto: Ligji per prokurimet publike do ndryshoje

 

Tani dhe kompanite shqiptare do të jenë pjese kryesore për tenderat që do të zhvillohen nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Ministri Edmond Haxhinasto ndërsa nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë ka theksuar se kompanitë shqiptare duhet të vendosin një standard shumë më të lartë se sa aktuali në të gjithë hallkat e realizimit dhe zhvillimit të infrastrukturës shqiptare.

 

 

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, nënshkroi ditën e djeshme një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë. Haxhinasto e ka konsideruar bashkëpunimin me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë shumë pozitiv dhe një kontribut të drejtpërdrejtë në arritjen e atyre objektivave madhore që ka Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, për të zhvilluar infrastrukturën e vendit, për të angazhuar sa më shumë kompanitë shqiptare dhe për të vendosur një standart shumë më të lartë se sa aktuali në të gjithë hallkat e realizimit dhe zhvillimit të infrastrukturës shqiptare.

 

Ndryshimet në ligjin e prokurimeve   

Në këtë kuadër, ministri Haxhinasto vlerësoi si nga çështjet më akute, bashkëpunimin për ligjin e ri të prokurimit publik, i cili sipas tij, është shkaku që ka sjellë një situatë absurde në zhvillimin e proceseve të tenderimit në Shqipëri duke ndikuar drejtpërdrejt te cilësia dhe standarti i realizimit të veprave tona që realizohen me para të taksapaguesve shqiptarë. “Ka pasur situata absurde ku tenderat janë fituar me vlera edhe 40% nën vlerën e shpallur të tenderit gjë që nuk duhet të ndodhë më, pasi paratë publike, paratë e qytetarëve duhet të shpenzohen jo vetëm në mënyrë efiçente, por duhet të garantojnë cilësinë më të lartë të realizimit të veprave publike”, deklaroi Haxhinasto para ndërtuesve.

 

 

Më tej ai bëri me dije se bashkëpunimi do të jetë i ngushtë edhe në çështjen e standarteve të realizimit të veprave, të cilat janë në procesin e miratimit formal të tyre. Këtu bëhet fjalë për standartet e rrugëve, të ujësjellës-kanalizimeve, por edhe për standarte të tjera në realizimin teknik të veprave të ndryshme. “Ne kemi rënë dakord në parim që bashkëpunimi ynë të forcohet edhe për arsye të monitorimit, të realizimit të veprave publike që do të thotë monitorim dhe vlerësim, po pse jo edhe penalizim në të gjithë hallkat e realizimit të veprave publike. Kjo do të thotë që të gjithë ata që punojnë në Shqipëri në fushën e projektimit, e supervizionit të veprave, në fushën e realizimit konkret të veprave, të gjithë do të jenë në një monitorim ligjor me qëllim që të garantojmë që standarti i produktit të tyre të jetë as më pak e as më shumë se sa ai evropian.

Shqipëria në fazën e saj të zhvillimit ka nevojë për cilësi dhe standarte më të larta”, u shpreh më tej ministri i Transporteve, duke shtuar se kjo diktohet nga stadi i zhvillimit të ekonomisë pasi shërbimet që ofron infrastruktura jonë fizike duhet të jetë në standarte më të larta. Sipas tij, kjo diktohet dhe nga nevoja e qytetarëve për të pasur standartin më të madh dhe më të lartë të shërbimit qoftë në rrugë apo edhe në shërbimet e tjera që ofrohen nëpërmjet infrastrukturës tonë fizike, por edhe detyrimi ndaj rajonit po ndaj Europës për të pasur edhe ne një standart ekuivalent me ta për sa i takon të gjithë infrastrukturës fizike por edhe shërbimeve që ajo ofron. Haxhinasto e ka konsideruar këtë si një pikë të rëndësishme për të cilën ka gjetur dhe mbështetjen e plotë të shoqatës me qëllim që standarti i aktivitetit të kompanive shqiptare dhe atyre të huaja në Shqipëri të jetë si në të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës.

 


Më të lexuarat