Secondary Adv

Tatimet paralajmerojne bankat per llogarite e dyshimta: Raportoni ose gjoba

Administrata tatimore u ka bërë apel bankave të qe respektojnë formatin e raportimit për llogaritë e dyshimta, në të kundërt paralajmëron penalizim.

 

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke marrë shkas nga raportimet e bëra nga Institucionet Financiare brenda datës 30 maj 2024, ku janë konstatuar pasaktësi,

 

Administrata Tatimore rikujton këto të fundit se raportimet duhet të bëhen në formë elektronike, sipas formatit të standardizuar (skemë XML) në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit (CRS).

 

“Çdo raportim tjetër, jo sipas formatit XML, të parashikuar në ligj do të konsiderohet i pasaktë dhe për rrjedhojë institucioni financiar raportues do të gjobitet në përputhje me parashikimet e  ligjit “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit”, thuhet në njoftim.

 

Për këtë arsye, Administrata Tatimore njofton institucionet financiare se afati për korrigjimin e raportimit sipas formatit elektronik XML është data 31 gusht 2024.

 

Ndërsa, sipas tatimeve, institucionet financiare raportuese, të cilat pretendojnë se nuk e kanë detyrim zbatimin e ligjit “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit” duhet të argumentojnë arsyen përse nuk vetëklasifikohen si subjekt për raportim dhe të deklarojnë me 0 llogaritë e raportueshme (raport nil).

 

Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI)

 

Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbledh të dhënat nga institucionet financiare dhe e shkëmben atë automatikisht me 130 vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes.

 

Mosdorëzimi në afat i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar apo me pasaktësi, ndëshkohet me 10 mijë lekë gjobë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat