Secondary Adv

Ndihma shteterore arriti ne 8.5 mld leke ne 2023, me teper lehtesi per ndermarrjet

Shuma e ndihmës shtetërore të dhënë në Shqipëri për bizneset përgjatë vitit 2023 ishte 8.5 miliardë lekë ose vetëm 0,37% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Sipas raportit vjetor të ndihmës shtetërore, kjo ndihmë është dhënë kryesisht për kërkim dhe zhvillim, por edhe për ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitete të lidhura me turizmin.

 

Që prej vitit 2019, ndihma shtetërore kushtuar ndërmarrjeve është rritur ndjeshëm, ku në një hark kohor prej 5 vitesh vërehet se ndihma totale kap vlerën 63 miliardë lekë.

 

Në vitin 2023 ndihma shtetërore horizontale në vlerë absolute është 5.2 miliardë, ndërsa ndihma shtetërore sektoriale ishte 3.2 miliard lekë.

 

Rreth 73.55% e shumës së ndihmës horizontale i kushtohej kërkimit dhe zhvillimit, ndërsa në strukturën e ndihmës sektoriale për vitin 2023, peshën kryesore e zë ndihma për strukturat akomoduese me 75.69%.

 

Në ndihmën horizontale përfshihen ndihma për kërkim-zhvillim dhe inovacion, për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, punësim, kulturë dhe sport.

 

Ndërkohë që përveç turizmit, ndihma shtetërore sektoriale përfshiu edhe mbështetje për infrastrukturën broadband, transportin dhe shërbimin publik.

 

Në totalin e ndihmës së dhënë për vitin 2023, vendin kryesor e zënë ndihmat horizontale, rreth 61.58%, ndërsa ndihma sektoriale përbën 38.42% të ndihmës gjithsej.

 

Ndihma shtetërore përfshin kryesisht subvencione, grante, garanci shtetëore, përjashtim nga taksat ose shtyrje e pagesës së tyre, rimbursim apo reduktim të shkallës tatimore.

 

Në vitin 2023, ndihma shtetërore është dhënë kryesisht në formën e subvencioneve dhe lehtësirave fiskale.

 

Në 76% të rasteve, instrumenti i përdorur më shumë nga shteti për të ndihmuar ndërmarrjet është përjashtimi nga taksat, shtyrja e taksave, ulja e normës së tyre dhe zbritje e kontributit në sigurimet shoqërore, ndërsa në 24% të rasteve të tjera janë dhënë subvencione dhe grante./Burimi: SCAN


Më të lexuarat