Nuk fillon open banking, institucionet presin ende certifikimin nga AKSHI
Afati i fundit i vendosur nga Banka e Shqipërisë për ofrimin e shërbimeve të open banking (bankingut të hapur) nuk po respektohet.
Këto shërbime duhet të ishte aktive që prej datës 1 korrik 2024, por ato ende nuk mund të ofrohen, sepse asnjë institucion financiar nuk ka marrë certifikimin e nevojshëm nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në fund të muajit qershor, AKSHI u shpreh për “Monitor” se shërbimi i certifikimit për këtë qëllim do të ishte aktiv qysh më datë 27 qershor. Në fakt, ofrimi i shërbimit u bë i mundur vetëm disa ditë pas datës së premtuar nga AKSHI.
Aktualisht, në portalin e-albania është aktiv shërbimi elektronik “Aplikim për Certifikatë Elektronike Test PSD2 “, që mundëson pajisjen e subjekteve bankare me Certifikatë Elektronike Test të vulës elektronike PSD2 në kuadër të projektit të “Open Banking”. Sipas informacionit që jepet në e-albania, koha e nevojshme për marrjen e shërbimit është tre ditë.
Megjithatë, sipas institucioneve financiare të pyetura nga “Monitor” dhe sipas Bankës së Shqipërisë, asnjë subjekt nuk ka arritur ta marrë ende këtë certifikatë. Sipas tyre, gjatë këtyre ditëve ka patur komunikim me AKSHI-n për elemente teknike të procesit, por deri tani nuk janë lëshuar ende certifikatat përkatëse.
Ditën e mërkurë, palët e interesit të përfshira në ofrimin e shërbimeve të open banking, duke përfshirë Bankën e Shqipërisë, institucionet financiare, AKSHI dhe AKCESK janë thirrur në një takim nga Ministrja e Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Një një reagim për “Monitor”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shprehet se lëshimi i certifikatave kërkon ende kohë, për shkak të nevojës për të verifikuar të dhënat e institucioneve financiare.
AKSHI shprehet se certifikatat përkatëse të sigurisë janë planifikuar të dërgohen së shpejti tek institucionet që kanë aplikuar, por pa përcaktuar një afat të saktë kohor.
“Ky shërbim është kërkuar vetëm në muajin Maj të këtij viti, kur dhe jemi bërë pjesë e tryezave të përbashkëta për projektin “Open Banking”, si një shërbim i ri i ofruar në një periudhë të shkurtër kohore kërkon më shumë kohë për procesim të aplikimeve të kryera, për shkak të nevojës për të verifikuar të dhënat e institucioneve bankare në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë.
Duke qenë se ky shërbim kategorizohet si shërbim i kualifikuar i besuar, ky hap ishte thelbësor për të siguruar saktësinë dhe integritetin e informacionit që do të përmbajnë certifikatat elektronike të kualifikuara.
Gjithashtu, për të garantuar përmbajtjen e sigurt të certifikatave Test PSD2 për “Open Banking”, u kërkua informacion shtesë nga institucionet financiare. Një gjë e tillë ishte e domosdoshme për të siguruar që të gjitha të dhënat e përfshira në certifikata të jenë të sakta dhe të plota.
Së fundmi, Ju informojmë se certifikatat elektronike Test PSD2 janë planifikuar të dërgohen së shpejti në e-mailet përkatëse të institucioneve financiare në llogarinë e tyre në portalin qeveritar e-Albania,” thuhet në reagimin e AKSHI.
Open banking pritet t’i mundësojë çdo individi apo subjekti që ka një llogari pagese ta përdorë llogarinë për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare.
Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Ky koncept është i lidhur kryesisht me dy shërbime të reja, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë
Ligji “Për shërbimet e pagesave” hyri në fuqi qysh në janar 2021 dhe reflekton parimet kryesore të Direktivës së Dytë të Bashkimit Europian për pagesat (PSD 2) dhe synon të sjellë më shumë konkurrencë në këtë treg, duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të pagesave.
Megjithëse ligji i ri ka hyrë në fuqi prej vitesh, parimi i open banking ende nuk ka filluar të zbatohet.
Shërbimet e mbështetura në open banking duhet të testoheshin duke filluar që në 1 janar 2024, si pjesë e rregullores ”Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/nuk-fillon-open-banking-institucionet-presin-ende-certifikimin-nga-akshif/)