Secondary Adv

Raporti i kredive me probleme, i qendrueshem ne 4.8 per qind edhe per majin

Raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm edhe për muajin maj.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues rezultoi 4.81%, nga 4.82% që kishte qenë në muajin prill.

 

Ky raport vazhdon sidoqoftë të jetë në rënie me bazë vjetore. Në maj të vitit të kaluar, ai qëndronte në nivelin 5.23%.

 

Megjithatë, të dhënat e muajve të parë të këtij viti tregojnë një tendencë të lehtë në rritje krahasuar me nivelet e fundit të vitit të kaluar (4.74% në dhjetor).

 

Duke pasur parasysh që portofoli i kredisë në muajt e parë të vitit 2024 është rritur me ritme të shpejta, një raport i qëndrueshëm me prirje të lehtë rritëse i këtij raporti nënkupton se në vlerë absolute kreditë me probleme po shtohen.

 

Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 783 miliard lekëve, me një rritje prej 12 miliard lekësh krahasuar me muajin prill.

 

Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 9.9% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbi këtë shumë, mund të llogaritet se në vlerë absolute portofoli i kredive me probleme ka arritur në 37.5 miliardë lekë, nga rreth 35 miliardë lekë që ishte në fund të vitit të kaluar.

 

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e raportit të kredive me probleme në pjesën e parë të këtij viti duket të jetë kryesisht efekt i rritjes së normave të interesit në euro. Segmenti ku është vërejtur rritja e kredive me probleme është kryesisht kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme në euro, veçanërisht në segmentin e individëve.

 

Për Bankën e Shqipërisë një rritje e tillë ishte e pritshme, duke pasur parasysh rritjen e fortë të normave të interesit për monedhën europiane, deri vitin e kaluar. Banka Qendrore Europiane rriti me një ritëm të shpejtë normën bazë të interesit, duke arritur nivelin rekord historik prej 4.5%, në vjeshtën e vitit të kaluar.

 

Kjo rritje u përcoll në interesat e tregjeve financiare dhe në treguesin kryesor benchmark që përdoren për kuotimin e kredive me norma të ndryshueshme interesi në euro, Euriborin.

 

Rritja e raportit të kredive me probleme duket të jetë kryesisht efekt i rritjes së interesave të euros, i përcjellë me një lloj vonese në kohë.

 

Për huamarrësit me të ardhura në lekë, efekti i rritjes së interesave është amortizuar nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Megjithatë, as forcimi i lekut nuk ka mjaftuar plotësisht për të shmangur një rritje të raportit të kredive me probleme.

 

Këtu duhet marrë gjithashtu në konsideratë edhe fakti që një pjesë e mirë e huamarrësve i kanë të ardhurat në euro dhe nuk kanë patur përfitime nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

 

Këtë vit Banka Qendrore Europiane ka nisur uljen e normave të interesit, por Banka e Shqipërisë pret që efekti i kësaj uljeje pritet të reflektohet në cilësinë e portfolit të kredisë duke filluar nga viti i ardhshëm.

 

Ndërkohë, këtë muaj edhe Banka e Shqipërisë vendosi, në mënyrë deri diku të papritur, të ulte normën bazë të interesit për herë të parë që nga viti 2020.

 

Norma bazë u ul me 0.25 pikë përqindje në nivelin 3%. Rikthimi i kahut ulës së normave të interesit pritet të ketë një efekt të mëtejshëm pozitiv në kreditim, por edhe në aftësinë paguese të huamarrësve dhe në cilësinë e portofolit të kredisë. 

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/raporti-i-kredive-me-probleme-i-qendrueshem-ne-4-8-edhe-per-majin/)


Më të lexuarat