Secondary Adv

Javen e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 10-vjecare

Javën e ardhshme, Ministria e Financave do të organizojë ankandin e emetimit të ri të obligacioneve 10-vjeçare.

 

Oferta e shpallur e obligacioneve ka vlerën e katër miliardë lekëve, ndërsa kuponi indikativ i paraqitur në ankand 6.15%.

 

Ankandi i fundit i obligacioneve 10-vjeçare u zhvillua në muajin prill të këtij (rihapje e ankandit fillestar të janarit 2024).

 

Yield-i uniform i pranuar rezultoi 6.36%, në rënie nga niveli prej 6.78% që ishte qenë në ankandin e mëparshëm, në muajin janar.

 

Nga tre miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e pothuajse tetë miliardë lekëve.

 

Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e kërkesave të pranuar në 3.45 miliardë lekë, duke ndikuar edhe në rritjen e yield-it uniform, që ndryshe mund të kishte rezultuar edhe më i ulët.

 

Në ankandet e obligacioneve, yield-i përcaktohet si uniform me yield-in e kërkesës më të lartë të pranuar.

 

Ankandet e obligacioneve më afatgjata, siç janë ato me maturim 10-vjeçar apo 15-vjeçar,  ofrojnë edhe normat më të lira të kthimit, mes instrumenteve të borxhit të shtetit shqiptar. Ato janë një alternativë e mirë për investitorët që synojnë të rrisin kthimet e portofolit të tyre.

 

Këtu përfshihen investitorët institucionalë, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, por këto instrumente mund të jenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël.

 

Rënia graduale e yield-eve, megjithatë, ka sjellë një ulje graduale të interesit të investitorëve të vegjël për investimet në obligacione gjatë vitit 2023 dhe pjesës së parë të vitit 2024.

 

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për tremujorin e parë të vitit vlera e blerjeve të obligacioneve në tregun primar zbriti në më pak se 2.5 miliardë lekë, në rënie me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Që prej fundit të vitit 2022, Ministria e Financave e ka ulur shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë.

 

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.

 

Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.

 

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.

 

Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

 

Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga AMF si shoqëri komisionere për investimin në tituj.

 

Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/mundesi-investimi-javen-e-ardhshme-zhvillohet-ankandi-i-obligacioneve-10-vjecare/)


Më të lexuarat