Fond 5 mln USD per legalizimet, hapen aplikimet per ndertimet pa leje, dokumentat qe duhen
ATP njofton fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale.
Prej reformës së ndërmarrë në 2014-n, duket që e vetmja skemë, e cila ka funksionuar ka qenë ajo për kompensimin e pronarëve, të shpronësuar për efekt të procesit legalizues.
Vetëm përgjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, kanë marrë paratë e kompensimit për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje 276 familje, ndërsa Agjencia e Pronave ka njoftuar çeljen e aplikimeve për fondin 5 milionë dollarë.
“Në zbatim të vendimit “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar,
ATP njofton fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale.
Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 05.08.2024 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë”, thuhet në njoftimin e agjencisë ku pasqyrohen edhe vendimet që kanë kaluar në Qeveri,
me emrat e qytetarëve që pajisen me lejen e legalizimit nga njëra anë dhe anën tjetër emrat e pronarëve që do të marrin paratë e kompensimit.
Në fazën e parë këto familje përfitojnë 70 për qind të vlerës që ka prona e tyre sot në treg dhe për pjesën e mbetur qendrojnë në listëpritjeje.
Aplikimet, sipas ATP bëhen online përmes portalit “e-Albania” ndërsa dokumentet, përveçëse në portal duhet të dorëzohen edhe përmes shërbimit postar.
Përveç kërkesës për kompensim, nga qytetarët kërkohet po ashtu dëshmia e trashëgimisë, prokurë, numër llogarie, fotokopje e kartës së identitetit dhe mandat pagesa për shlyerjen e tarifës 2 mijë lekë.
“Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë.
Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm”, sqarohet në mbyllje nga ATP./Burimi: Scan