Inflacioni i Eurozones rritet ne 2.6 per qind ne korrik
Shifra e fundit vjen mes pritshmërive, që Banka Qendrore Europiane do të ulë normat e interesit në mbledhjen e ardhshme të politikës monetare.
Inflacioni i Eurozonës u rrit lehtë në 2.6% në vit deri në korrik, mes pritshmërive se Banka Qendrore Europiane do të ulë normat e interesit për herë të dytë këtë vit, në mbledhjen e saj të shtatorit.
Shifra është më e lartë se rritja prej 2.5% në qershor. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar, që presionet e çmimeve të mbeten të pandryshuara në 2.5%.
Lajmi vjen pasi investitorët presin që BQE, e cila ishte banka e parë qendrore e madhe, që uli normat nga nivelet rekord pas pandemisë, të ulë kostot e huamarrjes për herë të dytë në mbledhjen e saj të ardhshme në shtator.
Në qershor, banka qendrore uli normën bazë të depozitave nga 4% në 3,75%, në pritje që inflacioni të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin e ardhshëm.
Investitorët tani do të peshojnë se si të dhënat e reja do të ndikojnë në trajektoren e Bankës Qendrore Europiane, për ulje të mundshme të normave të interesit në të ardhmen.
Këshilli Drejtues i BQE tha se do të vazhdojë të marrë në konsideratë dinamikën dhe perspektivën e inflacionit, si dhe fuqinë e ndikimit të politikës monetare në vendimmarrje.