Ne Kosove cmimet jane rritur me 2.2 per qind krahasuar me nje vit me pare
Indeksi i tërësishëm çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin korrik 2023.
Kurse, inflacioni mujor ishte 0,3% në muajin korrik 2024. Çmimet e konsumit në muajin korrik të këtij viti janë rritur me 2.2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa me 0.3% krahasuar me qershorin e këtij viti.
Këto janë të dhënat nga Indeksi i Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), i publikuar të premten nga Agjencia e Statistikave të Kosovës
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin korrik 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me rritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it”.
Sipas të dhënave të ASK-së, çmimet kryesisht janë rritur për mishin, energjinë elektrike, qumështin, djathin dhe vezën. “… bileta të fluturimeve (22,0%); kafe, çaj dhe kakao (7,7%); peshq (7,7%); pije alkoolike (7,2%); pemë (6,3%);
lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (5,9%);
mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,6%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (5,6%); veshje (4,9%); kujdes personal (4,3%);
ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3,7%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (3,6%); bukë dhe drithëra (3,1%); duhan (2,7%);
karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2,1%); prodhime ushqimore (2,1%); shërbime hoteliere (1,9%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (1,8%);
pajisje shtëpiake (1,5%); mish (1,4%); energji elektrike (0,9%); dhe qumësht, djathë dhe vezë (0,3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,4% në IHÇK”.
Ndërsa, rënie e çmimeve thuhet se vërehet te grupi perime (-5,2%) me ndikim prej (-0,2%) në IHÇK.
Sipas ASK-së indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,3% në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin qershor 2024.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bileta të fluturimeve (8,7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2,9%); energji elektrike (2,3%);
pemë (1,8%); mish (0,7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,5% në IHÇK. Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: perime (-5,7%) me ndikim prej -0,2% në IHÇK”.
Gjendjen në të cilën po jetojnë qytetarët e Kosovës e ka treguar edhe Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) që ka publikuar raportin për Kosovën për muajin maj 2024, në të cilin tregohet se problemi më i rëndësishëm të cilin ballafaqohet Kosova, është kostoja e jetesë apo çmimet e larta si dhe papunësia.
Raporti i IRI-t vë në pah se kostoja e jetesës, çmimet e larta e papunësia vazhdojnë të mbesin problemet me të rëndësishme të qytetarëve.
Në pyetjen e IRI-t për anketuesit se “cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi ynë sot? Dhe cili është problemi i dytë më i rëndësishëm?” – përgjigjet janë:
33% e tyre kanë thënë se problemi kryesor është kosotja e jetës dhe çmimet e larta, për dallim prej 32% që e kanë renditur si problem të dytë. Në përgjithësi, 65% kanë thënë se këto dy janë problemet kryesore.
Një studim i fundit i Institutit “Musine Kokalari” në Prishtinë tregon se vetëm 20% e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme – me 1.152 euro neto në muaj, që i nevojiten një familjeje me 4 anëtarë.
Paga minimale vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç, ndërsa mesatarja, rreth 520 euro. Qeveria ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro, por ligji nuk ka hyrë në fuqi ende.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ne-kosove-cmimet-jane-rritur-me-2-2-krahasuar-me-nje-vit-me-pare/