Secondary Adv

Nendeklarimi i pagave, qeveria plan me 7 masa, do perdoret teknologjia dhe kontrollet blic

Më shumë se 185 mijë punonjës në vend paguhen me vetëm 40 mijë lekë në muaj, sa paga minimale.

 

Ky do të jetë grupi i parë që do të kalojë në filtrin e Administratës Tatimore, Inspektoriati të Punës dhe Institutit të Sigurimeve, për të goditur fenomenin e nëndeklarimit të pagave.

 

Kjo për shkak se prej vitesh prej bizneseve është vënë re deklarimi vetëm me pagë minimale të punonjësve dhe pjesa tjetër jepet në dorë.

 

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave e hartuar nga Ministria e Financave thuhet se grupi më i madh i pagave të deklaruara, që aktualisht është ai i pagave nga 60 mijë deri në 95 mijë lekë, do të futet gjithashtu në sitë.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, janë 26.8% e të punësuarve në Shqipëri që janë në këtë kategori pagash ose rreth 196,482 punonjës. Ndjekur më pas nga 20% e të punësuarve (146,628 punonjës) me paga në pragun e minimales 40-50 mijë lekë.

 

(Përllogaritjet e shifrave të punonjësve në raport me pagat janë bërë duke marrë si referencë numrin prej 733,144 punonjësish në fund të 2023-shin sipas shifrave që janë pjesë e strategjisë).

 

Në ‘lupën’ e kontrolleve do të jenë edhe të punësuarit me turne, orët e punës, sa ditë në javë punohet si dhe deklarimi i saktë i profesionit të punonjësit nga ana e biznesit. Vetë administrata tatimore thotë se çdo muaj evidentohen tatimpagues të cilët nuk deklarojnë ose ndryshojnë deklaratat e mëparshme me ulje.

 

Brenda viteve 2025-2027, do të ndërmerren disa masa kryesore për të goditur tregun e zi të punësimit. Puna e institucioneve do të bazohet kryesisht në regjistra duke përdorur teknologjinë.

 

Fillimisht do të bëhet një kontroll i detajuar i listëpagesave që parandalojnë shmangien e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Mbi bazë të këtyre kontrolleve do të ngrihen ‘Modulet e Riskut’ po për këtë qëllim, për të kaluar më pas tek kontrollet sektoriale.

 

Përmes sistemeve do të analizohen të dhëna mbi pagat për sektorë të ndryshëm si dhe do të zhvillohen kontrolle ‘blitz’ në bizneset për të cilat ka dyshime se bëjnë nën-deklarim pagash në bazë të kryqëzimit të të dhënave.

 

Së fundmi do të organizohet fushatë kombëtare për deklarimin real të pagave, për të këshilluar punonjësit që të refuzojnë këtë praktikë, si dhe do të ketë takime me bizneset për konkurrencën e padrejtë dhe punësimin informal.

 

“Zhvillimi i një fushate të gjerë ndërgjegjësimi, duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të individit, dhe rritjen  e ndërgjegjësimit se raportimi i punës së pa deklaruar dhe nëndeklarimet e pagës, janë një përfitim jo vetëm për shtetin por mbi të gjitha për individin”, thuhet në strategji.

 

Me realizimin e këtyre objektivave, pritet që të rriten të ardhurat tatimore me 4.9 miliard lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

Qeveria përmes këtyre masave synon të rrisë me 16% deklarimin e pagës reale deri në fund të vitit 2027, praktikisht kjo përqindje aktualisht është pjesa informale në tregun e punës.

 

Po për të luftuar informalitetin vetë qeveria ka paralajmëruar se brenda tetorit do të shpaloset një reformë e re e bazuar në teknologji dhe inteligjencë artificiale.

 

ÇFARË DO TË SYNOJË FUSHATA NDËRGJEGJËSIMIT?

· Edukimi i tatimpaguesve në lidhje me rreziqet jo-tatimore të nëndeklarimit të të ardhurave, p.sh. pakësimi i pagesës së kontributeve të sigurimeve, qasje të kufizuar në kredi dhe aftësi e kufizuar për të shitur një biznes në të ardhmen.

 

· Marrja e informacionit të detajuar nga tatimpaguesit me qëllim rritjen e aftësive për të zbuluar dhe trajtuar aktivitetet e ekonomisë informale.

 

Kjo ka për qëllim rritjen e besimit të komunitetit në efektivitetin e administratës duke demonstruar se shmangësit e tatimeve janë vënë para përgjegjësisë dhe do shërbejë si një pengesë e rëndësishme për të tjerët që mund të mendojnë të angazhohen në mosrespektimin e ligjit.

 

· Publikimi i masave/veprimeve kundër evazionit. Raportimi i rezultateve të arritura duke përfshirë ndjekjet penale të suksesshme që rrjedhin nga këto aktivitete./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat