Secondary Adv

Pagesat cash, kufizohen per qytetaret, ulet tavani i lejueshem dhe per biznesin

Qeveria ka vendosur të kufizojë pagesat në cash për qytetarët brenda vitit 2026, duke bërë të pamundur që gjithçka të paguhet me lekë në dorë siç ndodh aktualisht. 

 

Me qëllim uljen e përdorimit masiv të parasë fizike në vend, në planin e veprimit 2024-2027 të Ministrisë së Financave thuhet se brenda kësaj periudhe do të vendoset një tavan për pagesat e lejuara me para në dorë mes qytetarëve, si dhe do të ulet tavani që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekë.

 

Po ashtu ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të hetojnë edhe shkeljen me faturat pasi ka tatimpagues të cilët fragmentarizojnë faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji.

 

Hetimi për këtë kategori do të bëhet duke ballafaquar tatimpaguesit që kanë nivel anormal të faturimit cash krahasuar me të ngjashmit e tyre.

 

Këto masa thuhet në strategji do ndërmerren për shkak se përdorimi i parasë fizike mbetet ende mbizotërues në ekonominë shqiptare. Deri në fund të korrikut jashtë bankave qarkullonin 4 miliardë euro duke u rritur me afro 97 milionë euro krahasuar me korrikun e 2023-shit.

 

Shkaqet për këtë dominim të parasë fizike përkundrejt kartave apo pagesave online sipas Ministrisë janë të ndryshme ku thelbësore mbeten, kultura jonë për të bërë pagesa, normat e ulta të interesit për depozitat, mungesave e terminaleve POS në dyqane për të paguar me kartë, informaliteti, mungesa e besimit ndaj bankave apo edukimi financiar.

 

Në dokument thuhet gjithashtu se pagesat fizike, përdoren si alternativë për të fshehur burimin jo të ligjshëm të të ardhurave.

 

“Burimi i parave cash, nëse një individ ka një të ardhur 80 mijë lek në muaj dhe shpenzon 200 mijë lek në muaj, pra jashtë burimit të ligjshëm, logjikisht që këtë diferencë e ka të krijuar nga burime të paligjshme”, është një nga shkaqet e evidentuara në raport.

 

Po ashtu do të ngrihet një grup pune Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e bankave për të ulur komisionet që aplikojnë bankat për përdorimin e terminaleve POS nga bizneset.

 

Kështu pritet që të rritet numri i këtyre pajisjeve, që aktualisht është në mbi 18 mijë nga 120 mijë biznese që ka vendi.

 

Përtej informalitetit e rrezikut të pastrimit të parave që vjen nga volumi i lartë i parasë fizike, ekspertët thonë se po konkurrohen edhe bankat, pasi milionat jashtë bankave po përdoren për biznesin e ‘fajdeve’./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat