Investimi në borxhin e qeverisë shqiptare përbën 27 për qind të aktiveve të sektorit bankar
Aktualisht, investimi në borxhin e qeverisë shqiptare përbën 27% të totalit të aktiveve të sektorit bankar në vend, nga 26.5% që zinte një vit më parë.
Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) nënvizonte ekspozimin e lartë të sektorit bankar shqiptar në borxhin sovan të qeverisë shqiptare, duke inkurajuar përpjekjet për të zhvilluar dhe thelluar tregun dytësor të titujve dhe atë të parasë, me qëllim uljen e rreziqeve të likuiditetit për bankat.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ekspozimi i sektorit bankar në borxhin e qeverisë shqiptare ka vazhduar rritjen edhe për këtë vit. Në fund të tetorit, letrat me vlerë të qeverisë shqiptare në bilancin e sektorit bankar arritën në 561.3 miliardë lekë, në rritje me 7.8% kraahsuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e ekspozimit në borxhin publik ka ardhur paralelisht në letrat e borxhit në lekë dhe ato në valutë të huaj. Vlera e bonove dhe obligacioneve në lekë të mbajtura nga bankat arriti në afërsisht 470 miliardë lekë, me një rritje prej 7.9% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa investimi në Eurobonde ka prekur vlerën e 91.6 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 7.3%.
Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbëjnë grupin e dytë më të madh të aktiveve të sektorit bankar, pas kredisë për sektorin privat të ekonomisë. Ky portofol i mundëson sektorit bankar kthime të kënaqshme, përkundrejt një rreziku teknik të ulët. Investimi në bono dhe obligacione ka kërkesa më të ulëta për mbulimin me kapital dhe rrjedhimisht peshon më pak mbi kapitalizimin e bankave.
Megjithatë, FMN vëren se ekspozimi i lartë në borxhin e qeverisë shqiptare nuk është pa rreziqe, veçanërisht në drejtim të likuiditetit, e lidhur kjo edhe zhvillimin shumë të dobët të tregut dytësor të titujve qeveritarë në vend.
Sektori bankar në vend është financuesi më i madh i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të 9-mujorit 2024 sektori bankar zotëronte afërsisht 55% të stokut të borxhit të brendshëm. Sektori bankar e ka dominuar historikisht këtë treg, edhe për shkak të strukturës së tregut financiar në Shqipëri i dominuar nga sektori bankar dhe nga fakti se pjesa dërrmuese e kursimeve të publikut mbahen në depozita bankare.
Qeveria shqiptare parashikon të mbajë huamarrjen në tregun e brendshëm financiar në vlera të përafërta edhe për vitin e ardhshëm. Sipas projektbuxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, vlerë e njëjtë me atë të parashikuar në buxhetin e këtij viti./ Monitor (https://monitor.al/investimi-ne-borxhin-e-qeverise-shqiptare-perben-27-te-aktiveve-te-sektorit-bankar/)