
Bilanci i pagesave, tremujori i tretë është pozitiv për të dytin vit radhazi
Bilanci i llogarisë korrente rezultoi pozitiv për të dytin vit radhazi në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2024 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 350 milionë eurove.
Suficiti i llogarisë korrente pësoi një rënie të lehtë me 1.4% (rreth 5 milionë euro) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, për të gjithë 9-mujorin e parë pozicioni i jashtëm i ekonomisë këtë vit rezultoi në deficit, për një vlerë totale prej 230 milionë eurosh.
Ky pozicion është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, me një rritje prej 9.5 herë të deficitit të jashtëm. Deficiti progresiv i këtij viti është sidoqoftë në vlerën e dytë më të ulët historike, pas vitit 2023.
Kontributin kryesor në suficitin e tremujorit të tretë edhe këtë vit e ka dhënë turizmi.
Të ardhurat në zërin e udhëtimeve për tremujorin e tretë shënuan një vlerë rekord prej 1.91 miliardë eurosh, në rritje me 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa të ardhurat neto, duke zbritur flukset dalëse, shënuan gjithashtu vlerën rekord të 1.03 miliardë eurove, në rritje me 16.3% krahasuar me vitin e kaluar.
Për 9-mujorin 2024, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 1.77 miliardë euro, në rritje vjetore me 21%. Turizmi vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në bilancin e pagesave të vendit, megjithëse norma e rritjes, ashtu siç pritej, është ngadalësuar nga nivelet rekord të vitit të kaluar.
Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në total sektori i shërbimeve realizoi një bilanc neto në vlerën e gati 1.5 miliardë eurove për tremujorin e tretë, me një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë.
Për të gjithë 9-mujorin, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3 miliardë eurove, në rritje me 14.3% krahasuar me një vit më parë.
Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 772 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.
Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë rimëkëmbur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së suficitit në shërbime dhe kontributit të remitancave, ato nuk kanë mundur ta balancojnë efektin e rritjes së fortë të deficitit tregtar në mallra.
Për tremujorin e tretë, deficiti tregtar në mallra arriti në 1.46 miliardë euro, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 9-mujorin, deficiti arriti në më shumë se katër miliardë euro, 22% më shumë krahasuar me një vit më parë./Monitor (https://monitor.al/bilanci-i-pagesave-tremujori-i-trete-eshte-pozitiv-per-te-dytin-vit-radhazi/)
Më të lexuarat








