
Yield-i i bonove 12-mujore u rrit lehtë në ankandin e fundit të 2024
Yield-i i bonove 12-mujore u rrit lehtë në ankandin e fundit të vitit 2024.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar ishte 2.76%, nga 2.73% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Rritja e lehtë e yield-it lidhet me një pjesëmarrje më të ulët të investitorëve në ankand. Nga 10.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, shuma totale e kërkesave në ankand nuk arriti më shumë se 8.66 miliardë lekë.
Rënia e kërkesës mund të shpjegohet me kohën e zhvillimit të ankandit dhe faktin që shumica e investitorëve institucionalë, kryesisht bankat, i kanë realizuar buxhetet e parashikuara vjetore.
Megjithatë, përtej rritjes së lehtë në ankandin e fundit, viti 2024 në përgjithësi u karakterizua nga një tendencë në rënie të mëtejshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve qeveritare.
Krahasuar me një vit më parë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore pësoi rënie me 0.6 pikë përqindje. Në pjesën më të madhe, kjo reflekton ndryshimin e kursit të politikës monetare. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë uli dy herë normën bazë të interesit me gjithsej 0.5 pikë përqindje, nga 3.25%, në 2.75%.
Tregu gjithashtu u ndikua nga nivelet e kënaqshme të likuiditetit dhe rritja e kërkesës edhe nga pjesëmarrja për herë të patë e investitorëve të huaj në emetimet e borxhit në lekë të qeverisë shqiptare. Pas një rritjeje të lehtë për katër muajt e parë të vitit, në vijim yield-et lëvizën gradualisht në rënie, të ndikuara nga faktorët e mësipërm.
Fillimi i vitit dhe kryesisht tremujori i parë në përgjithësi karakterizohen nga presione më të mëdha për rritjen e yield-eve, sidomos sepse vlera e programuar e huamarrjes është e përqendruar sidomos në këtë periudhë.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 132.5 miliardë lekëve. Kjo shumë përbën afërsisht 37% të vlerës së planifikuar vjetore të emetimeve në tregun e brendshëm, duke përfshirë këtu edhe rifinancimin e instrumenteve të maturuara.
Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues tentohet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.
Zakonisht, tremujori i parë i vitit është periudha me përqendrimin më të madh të huamarrjes së qeverisë shqiptare. Kjo ndodh kryesisht për shkak të një prirjeje më të madhe të investitorëve, kryesisht bankave tregtare, për të ndjekur objektivat e buxheteve vjetore në pjesën e parë të vitit.
Megjithatë, vlera e huamarrjes për tremujorin I 2025 në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e huamarrjes së brendshme në tremujorin e parë mund të jetë e lidhur edhe me planin për të emetuar Eurobondin e radhës në tregjet ndërkombëtare. Emetimi pritet të bëhet pikërisht në tremujorin I 2025, për një shumë të parashikuar prej 600 milionë eurosh./Monitor (https://monitor.al/yield-i-i-bonove-12-mujore-u-rrit-lehte-ne-ankandin-e-fundit-te-2024/)
Më të lexuarat








